“Mallkimi i kuq”, 705 mijë euro blerje dhe asnjë cent i kthyer. Vera e ardhshme vendimtare për Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2024 | 10:11

“Mallkimi i kuq”, 705 mijë euro blerje dhe asnjë cent i kthyer. Vera e ardhshme vendimtare për Partizanin

E kemi thënë dhe e kemi përsëritur shpesh se Partizani në vitet e fundit ka nisur një rrugëtim dhe një strategji të ndryshme nga mënyra sesi të kuqtë kishin funksionuar deri më tani.PARTIZANI

Kampionët në fuqi janë një klub me financa të shëndosha, falë investimeve dhe të ardhurave nga sukseset e arritura. Kjo i ka dhënë shansin të ketë mundësinë që të shndërrohet në një klub blerës, si rrallëherë ka ndodhur në vendin tonë.

“Demat” vetëm në katër vitet e fundit kanë shpenzuar 705 mijë euro, një shifër tejet e madhe për nivelet e futbollit shqiptar. Megjithatë, Partizani nuk ka ndërmend të ndalet dhe këtë e tregoi edhe në verë, ku solli Mehmetin nga Erzeni, Bytyçin nga Kukësi dhe Qirkon nga Teuta, duke shpenzuar më shumë se 200 mijë euro. Aktualisht po ndjek me kujdes sulmuesin e Kukësit, Mohamed Salami.

SHITJET – Partizani ka mësuar edhe të shesë në sezonet e fundit, por duhet thënë se deri më tani asnjë nga lojtarët për të cilët është investuar, nuk ka kthyer para në klub. Në katër vite janë afruar 11 lojtarë dhe klubi për arsye të ndryshme nuk ka mundur të shesë asnjërin prej tyre, përfshirë edhe emra si Cara, Rrapaj, Keko apo Mba, për të cilët është raportuar për interes dhe oferta konkrete. Përveç faktit se asnjë ofertë nuk e ka kënaqur klubin, ky ngjan edhe si një mallkim në shtëpinë e kuqe, ku deri më tani shiten vetëm lojtarët që vijnë falas. Këta të fundit i kanë sjellë klubit mbi 2 milionë euro në sezonet e fundit dhe fitimi ka qenë thuajse 100%.

VERA PËRPARA – Shanset janë që në verë kjo situatë të ndryshojë dhe më në fund investimet e kryera nga klubi për blerje, të nisin të kthehen. Rrapaj, Cara, Keko, Mba apo Mehmeti mbeten në qendër të merkatos dhe nuk përjashtohet që ndonjë prej tyre klubi ta sakrifikojë në këmbim të të ardhurave, shumë të nevojshme për të bërë përpara nga ana sportive, por edhe ajo infrastrukturore, ku klubi po investon shumë në vitet e fundit.SGHJG

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"