Lushi jashtë Europianit, trajneri: E papranueshme!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2014 | 13:18

Lushi jashtë Europianit, trajneri: E papranueshme!

Emanuel LushiHistoria e turpshme për peshëngritësin shkodran Emanuel Lushi përsëritet. I njëjti avaz si gjithmonë. Edhe këtë herë Federata Shqiptare e Peshëngritjes nuk ka para për të mundësuar pjesëmarrjen e të riut të talentuar Emanuel Lushi në kampionatin europian për të rinj dhe U-23. Në fund të këtij muaji në Qipro do të mbahet kampionati europian i të rinjve, një nga dy eventet me të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Pavarësisht rëndësisë dhe talentit që mbart Lushi, federata nuk përgjigjet që shkodrani të garojë mes bashkëmoshatarëve të tij në Europian. Edhe vitin e kaluar, sipas familjarëve, paguan nga xhepi i tyre me premtimin se federata do t’i kthente ato para, gjë e cila nuk ka ndodhur as sot që flasim. Trajneri i Emanuel Lushit, Muhamet Tuzi, thotë se një gjë e tillë është e pafalshme në sport, të penalizohet një sport i ri me të ardhme si Lushi për të mos marrë pjesë në kampionatin europian. “Nuk e di çfarë të them. Është një situatë krejtësisht e papranueshme. Është e vërtetë që federata thotë se nuk ka para për të mundësuar që Lushi të marrë pjesë në kampionatin europian të peshëngritjes. Në fakt, gjendja fizike dhe sportive e Lushit është shumë e mirë. Ai stërvitet çdo ditë dhe, në bazë të stërvitjes që ka bërë, them se ka gjasa që po të merrte pjesë në europian do të kishte arritur në zonën e medaljeve”.
S.Nikshiqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"