Luiza Gega me zemër të madhe, bën bamirësi në Afrikë: Kur e prek nga afër këtë realitet, nis të vlerësosh jetën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2020 | 8:41

Luiza Gega me zemër të madhe, bën bamirësi në Afrikë: Kur e prek nga afër këtë realitet, nis të vlerësosh jetën

Që prej mesit të muajit mars, Luiza Gega vijon të stërvitet intensivisht në Kenia. Për shkak të bllokimit të fluturimeve prej pandemisë, mbretëresha e atletikës shqiptare po zhvillon në shtetin e varfër afrikan fazën më të gjatë përgatitore të karrierës. Por përveç pjesës sportive, atletja kuqezi ka bërë edhe një gjest fisnik, duke ndërmarrë një iniciativë humane, për të ndihmuar fëmijët që jetojnë në varfëri ekstreme në Iten.gega kenia

31-vjeçarja së bashku me dy shoqet e saj nga Ukraina, kanë nxjerrë në shitje disa prej sendeve të tyre personale, ku paratë e grumbulluara do të shkojnë për disa prej familjeve më në nevojë. “Është një vend shumë i varfër, që mua shpeshherë më trishton. Sidomos fëmijët, kur i shikon zbathur gjatë gjithë kohës, të cilët lumturohen aq shumë qoftë edhe me një karamele. Vetëm kur e prek nga afër këtë realitet, e përjeton dhe fillon ta vlerësosh më shumë jetën”, tregon Luiza Gega në një prononcim për “Panorama Sport”.

Ndërsa për sa i përket fazës përgatitore, Gega shprehet: “Nuk kam qëndruar kurrë kaq gjatë, aq më tepër në një vend si Kenia. Për stërvitje është vendi më i mirë, qoftë për lartësinë, ashtu edhe për kushtet klimatike. Bëj rreth 150-160 km në javë. Ndihem në formë shumë të mirë dhe kjo stërvitje do të më shërbejë për pjesën e mbetur të sezonit. Çdo gjë ka shkuar shumë mirë, ndonëse kemi pasur pak vështirësi pasi nuk e kishim llogaritur një qëndrim kaq të gjatë. Kështu që na janë shtuar shumë kostot. Nëse marrim rastin më të mirë, ku mund të kthehemi më 11 qershor, kostot shtesë janë 7 mijë dollarë”.luiza gega me femijet ne kenia

RIATDHESIMI

Kthimi në Shqipëri për Luiza Gegën dhe trajnerin Taulant Stermasi ishte programuar rreth mesit të prillit, por bllokimi i fluturimeve për shkak të pandemisë globale të Koronavirusit bëri që për më shumë se 50 ditë të tjera atletja së bashku me trajnerin ta shtyjnë qëndrimin në Kenia.

“Pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme për riatdhesim, nuk u bë asgjë”, shprehet Gega. Ndonëse udhëtonte në Kenia për t’u përgatitur për Shqipërinë, për atleten nuk ka pasur asnjë përgjigje nga Ministria e Jashtme për riatdhesimin. Tashmë Luiza Gega, së bashku me trajnerin Stermasi nuk mund të bëjnë asgjë tjetër përveçse të presin hapjen e fluturimeve.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"