Luftëtari, flet Bellai: S’kemi çfarë humbim, ia dalim në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2022 | 15:53

Luftëtari, flet Bellai: S’kemi çfarë humbim, ia dalim në Vlorë

Luftëtari është në pikë të hallit. Një sezon që nisi me pretendime të mëdha, po shkon drejt dështimit. Rrezikohet seriozisht mbijetesa dhe vetëm një fitore në Vlorë do t’i mbante gjallë shpresat për mbijetesën.

Luftetari

Aristotel Bellai e ka të qartë se do ta kenë “malore” përballë kryesuesve, por kujton se nuk kanë asgjë për të humbur.

Autori i golit të realizuar nga pika e bardhë e quan zhgënjyes barazimin ndaj Albpetrolit, ndaj për “Panorama Sport” paralajmëron autokritikën.

“Nuk e prisnim barazimin kundër patosarakëve. Të gjithë mbetëm të befasuar nga rezultati që rezervoi fundi i atij takimi. Edhe ‘magjia’ nuk do na e mohonte fitoren.

Të gjithë si futbollistë dhamë më të mirën e mundshme, por ky është futbolli… Tashmë nuk na mbetet asgjë tjetër, veç të shohim para dhe mbledhim forcat për të siguruar të vetmin objektiv që na ka mbetur: mbijetesën.

Flamurtari është emër i madh i futbollit shqiptar dhe kundërshtari s’ka nevojë për t’u komentuar. Nuk kemi çfarë të humbasim më, ndaj do futemi për më maksimumin në fushë.

Pozitat në klasifikim janë më shumë se rënduese, ndaj tri përballjet e fundit duhet t’ia kalojmë me sukses. Por, le ta nisim kthesën nga Vlora”, përfundoi 22-vjeçari Bellai.

TOMOR SHEHU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"