Lot dhe ironi për FSHF-në, Kamza nis të… shpërbëhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2019 | 16:51

Lot dhe ironi për FSHF-në, Kamza nis të… shpërbëhet

Dy ditë pas vendimit tronditës për përjashtimin e Kamzës nga Kategoria Superiore dhe zbritur atë në të Dytën, lojtarët, stafi teknik dhe drejtuesit janë takuar dje në ambientet e stadiumit. Ka qenë vetë presidenti Naim Qarri ai që ka lajmëruar lojtarët për një seancë stërvitore në stadiumin e Kamzës.

Kamza66

Skuadra është mbledhur në ora 14:00 për të nisur stërvitjen. Fillimisht janë takuar tre drejtuesit e klubit me të gjithë lojtarët dhe me lot në sy i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit. Edhe vetë Qarri është prekur nga ky moment, madje në një fjalim që mbajti, nuk mundi t’i shihte dot lojtarët në sy.

Ka qenë një skenë për disa minuta mjaft emocionuese, ku të gjithë mbështesnin dhe nuk gjenin fjalë prej lotëve. Kreu i klubit u ka komunikuar lojtarëve se të gjithë do të kenë mbështetjen e tij dhe do të jenë të lirë që në momentin e parë që ata do të gjejnë një skuadër. Ai ka paralajmëruar se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për apelimin e vendimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës, duke shkuar deri në KAS-in e Lozanës, gjithnjë nëse nuk do të gjendet drejtësi në Shqipëri.

stojku kamza

Për herë të fundit me lojtarët dhe drejtuesit është përshëndetur dje trajneri Gentjan Stojku, që drejtoi vetëm dy ndeshje ekipin. “Kam ardhur që të përshëndetem me lojtarët, pasi është e pamundur të vazhdosh punë në këto kushte.

Djemtë bënë punë të shkëlqyer dhe më mbushën me shpresë, por ndodhi ajo që ndodhi”, tha dje Stojku. Pas momenteve jo të mira, ka pasur vend edhe për ironi me federatën. “Kampionati le të vazhdojë tani me Laçin, Skënderbeun dhe Kukësin, pasi këto ekipe i kanë mbetur FSHF-së”, ishte batuta e Qarrit.

Kamze dhuna

LARGIMET

Pas mbledhjes me lojtarët, presidenti Qarri ka lënë të lirë të gjithë kosovarët, ndërsa edhe të huajt do të largohen sot. Në këtë moment, duke qenë se futbollistët kanë nevojë të stërviten, presidenti ka vendosur në dispozicion të tyre trajnerin e portierëve, Bledar Vashaku dhe fioziterapistin Roland Kastrati, në mënyrë që lojtarët që jetojnë në Tiranë dhe afër saj të përgatiten rregullisht.

lojtaret e kamzes mesojne vendimin e disiplines

Kështu, dje pas seancës, e cila zgjati rreth 90 minuta, janë larguar të përlotur tre kosovarët: Ilir Avdyli, Arbër Shala dhe Argjend Malaj, si dhe mbrojtësi vlonjat, Orjad Beqiri.

Presidenti Qarri ka lënë hapësirën e nevojshme se kushdo që do të gjejë një ekip, ai menjëherë do t’i japë lejen e kalimit. Shanset që FSHF të gjejë një hapësirë për të ndihmuar lojtarët duket se janë zero, pasi rregullorja nuk e lejon.

Abdulla Dushku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"