Lojtarët të bindur, Ten Hag do të shkarkohet/ Ja prapaskenat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2024 | 20:48

Lojtarët të bindur, Ten Hag do të shkarkohet/ Ja prapaskenat

Yjet e Mançester Junajtid besojnë se Erik ten Hag do të shkarkohet në verë, sipas lajmeve që raportojnë mediat angleze. “Djajtë” pësuan humbjen e 11-të të sezonit në Premier Ligë në derbin e Mançesterit të dielën.

ten hag

Ata gjithashtu u eliminuan nga Liga e Kampioneve dhe Kupa Karabao më herët, me trajnerin holandez që u vendos nën presion në momente të ndryshme të sezonit.

Ata përballen me një detyrë të vështirë për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve këtë sezon, ndërsa do të ndeshen me Liverpulin në çerekfinalen e Kupës FA, kompeticioni që është shansi i tyre i fundit për të fituar trofe këtë sezon. Ndërsa rezultatet kanë qenë të dobëta, ka pasur gjithashtu raportime që lojtarët janë të pakënaqur me intensitetin e stërvitjes së Ten Hagut.

Dhe sipas “Daily Mail”, lojtarët besojnë se holandezi do të shkarkohet në fund të sezonit. Megjithatë, thuhet se ai ende ka mbështetje në dhomën e zhveshjes dhe vetë Ten Hag këmbënguli se është në të njëjtën anë me pronarin e ri Sër Xhim Retklif. Dyshja u takua dhe zhvilloi bisedime në fillim të vitit. Ndërkohë, Ten Hag ka mbajtur kontakte të ngushta me shefin e “Ineos”, Sër Dejv Breilsford, i cili është krahu i djathtë i Retklif.

Ten Hag zbuloi: “Ne flasim shumë. Kam pasur shumë biseda me të dhe me Dejv Breilsford për këtë klub, për këtë ekip, për strukturat. Ne jemi shumë të lidhur, kjo përputhet plotësisht me ambiciet që kam, ambiciet që kisha kur hyra”.

Megjithatë, kuptohet se “Ineos” do të rivlerësojë pozicionin e Ten Hagut gjatë verës, me shefin e ri ekzekutiv Omar Berrada dhe drejtorin e ardhshëm sportiv, Den Ashuorth, të cilët pritet të thonë fjalën e tyre për të ardhmen e trajnerit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"