I dha fitoren Skënderbeut kundër Erzenit, Dejvid Janaqi: Gol me peshë për ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2024 | 19:53

I dha fitoren Skënderbeut kundër Erzenit, Dejvid Janaqi: Gol me peshë për ekipin

Mesfushori Dejvid Janaqi i dha një trepikësh shumë të rëndësishëm Skënderbeut me atë gol që shënoi kundër Erzenit. Korçarët janë shumë afër zonës së “Final 4”, ashtu si Dinamo dhe Tirana, me të cilat do të rivalizojnë deri në javën e fundit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, autori i golit trepikësh për Skënderbeun tha se e lumturon faktin që i dha fitoren ekipit, por edhe për faktin se vjen pas një dëmtimi dhe tani ndihet më i çliruar.

Dejvid Janaqi

JANAQI – “Jam shumë i lumtur që arrita të shënoja sërish gol dhe t’i jepja ekipit tri pikë kaq të rëndësishme për momentin. Ishte një ndeshje e vështirë dhe delikate, pasi ekipi kundërshtar nuk është në pozita të mira. Por mendoj se e menaxhuam si duhet këtë takim. Goli i shpejtë na ndihmoi që të mos kishim presionin e minutave dhe them se kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Nuk rrezikuam asnjëherë seriozisht që të pësonim dhe kjo është një tjetër meritë e të gjithë ekipit.

Për mua ky është një gol i rëndësishëm, pasi vjen pas një problemi fizik që më ka lënë jashtë për disa javë. Tani jam mirë dhe jam gati të jap kontributin tim te ky ekip. Jam i bindur se kemi ende punë për të bërë dhe mund të ngjitemi më lart në renditje se sa vendi i pestë që mbajmë aktualisht. Janë edhe tri javë të vështira dhe do të mundohemi të bëjmë maksimumin. Ta nisim me radhë nga takimi me Partizanin javën e ardhshme për të marrë më të mirën”, ka thënë mesfushori i korçarëve, Dejvid Janaqi.

PANORAMAPSORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"