Bushi i teston Shpresat me akademinë që ka në pronësinë e tij, kuqezinjtë fitojnë me 5 gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2021 | 13:35

Bushi i teston Shpresat me akademinë që ka në pronësinë e tij, kuqezinjtë fitojnë me 5 gola

Shqipëria U-21 po vazhdon përgatitjet për ndeshjen e 6 shtatorit që kuqezinjt do të zhvillojë ndaj Republikës Çeke, sfidë kjo e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023. Kuqezinjtë  janë grumbulluar në Elbasan që prej ditës së diel, ku po vazhdon stërvitjet intensive, me nga dy seanca çdo ditë.

Shpresat Bushi

Ditën e enjte, ekipi i drejtuar nga Alban Bushi ka zhvilluar një ndeshje miqësore ndaj Akademisë së Futbollit U-19, që është në pronësi të trajnerit të Shpresave.

Një vendim disi i çuditshëm ky, pasi shumë më mirë mund të zgjidhej një skuadër ose akademi tjetër, pa i privuar të drejtën shumë të rinjve të tjerë që nuk janë pjesë e Akademisë në pronësi të trajnerit të Shpresvae për të përjetuar ndjesinë e përballjes me futbollistët e Kombëtares U-21.

Shqipëria fitoi  bindshëm me rezultatin 5-0, me kuqezinjtë që ishin dukshëm superiorë gjatë gjithë ndeshjes. Golat u shënuan nga Karrica e Marinaj, të cilët realizuan nga një dy golësh secili si dhe sulmuesi i Vllaznisë, Mehdi Çoba.

Bushi hodhi në fushë këtë formacion: Molla, Marku, Selmani, Pëllumbi, Ismajlgeci, Çelhaka, Lakti, Mehmeti, Karrica, Nikqi, Çoba. Në pjesën e dytë të lojës, tekniku kuqezi aktivizoi edhe lojtarët e tjerë të grumbulluar për ndeshjen ndaj Çekisë.

Zyra e shtypit bën gjithashtu me dije se lista e lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Alban Bushi ka pësuar sërish ndryshime. Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se mesfushori Armando Dobra nuk ka udhëtuar drejt Shqipërisë për t’iu bashkuar skuadrës për arsye personale dhe nuk do të jetë pjesë e kuqezinjve në këtë ndeshje. Ndërkaq, siç ishte parashikuar edhe në grumbullimin paraprak, edhe Eljon Tuci nuk do të jetë pjesë e skuadrës së drejtuar nga Bushi, duke iu bashkuar Kombëtares U-19 të Cungut, që do të zhvillojë ditën e premte në stadiumin “Selman Stermasi” ndeshjen e parë ndaj Izraelit.

Kuqezinjtë do të nisen me 4 shtator drejt Republikës Çeke, ku do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv. Kjo është ndeshja e dytë kualifikuese për ekipin e Shpresave. Sfida e parë e luajtur më 4 qershor në Andorra përfundoi në favor të kuqezinjve, me shifrat 0-3.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"