Lipi mbërrin në Vlorë, tjetër lojtar shpall zyrtarisht “divorcin” me Flamurtarin. Sukaj qetëson Troisin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2020 | 12:49

Lipi mbërrin në Vlorë, tjetër lojtar shpall zyrtarisht “divorcin” me Flamurtarin. Sukaj qetëson Troisin

Bruno Lipi mbërrin në Vlorë. Qendërmbrojtësi i është bashkuar menjëherë ekipit në hotelin ku janë grumbulluar. “Panorama Sport” e pati paralajmëruar afrimin e tij qysh herët, e megjithatë vetëm dje ai ka zbarkuar në qytetin bregdetar. Ky lojtar është një njohje e vjetër e trajnerit brazilian, ndaj edhe pritet që të jetë i pari përforcim për këtë merkato dimri. 

BRUNO LIPI

Në tri sezonet e fundit ka luajtur për ekipe të ligave të ulëta në Greqi, ndërsa në Shqipëri është aktivizuar për ekipe si Bylis, Laçi dhe Turbina. Për eksperiencën që ka 26- vjeçari, është një nga lojtarët që do t’i bëjë punë skuadrës.

Sukaj

SUKAJ – Qetësohet Marcelo Troisi, rikthehet në stërvitje edhe Xhevahir Sukaj. Shkodrani do të vijojë të jetë pjesë e Flamurtarit edhe për fazën e mbetur të sezonit, ndërsa ka pasur pëlqimin edhe të trajnerit brazilian. Ky i fundit ka kërkuar me ngulm kthimin e sulmuesit. Frika u shtua derisa për ditë të tëra nuk ishte grumbulluar, por në klub thoshin që kishte marrë lejë nga klubi. Vërtet ka largime dhe mungojnë afrimet e bujshme, por të paktën disa lojtarë po qëndrojnë te kuqezinjtë. Denis Pjeshka është një ndër ta, ai do të vijojë aventurën te Flamurtari.

Nën urdhrat e teknikut brazilian do të mbetet edhe Kreshnik Nebihi. Kosovari i është bashkuar ekipit në grumbullim. Gazeta mëson se do t’i bashkohet ekipit edhe një tjetër shkodran. Bëhet fjalë për Olsi Gocajn. Gjasat janë që mbrojtësi të kthehet sot. Në Vlorë pritet konfirmimi edhe i disa lojtarëve brazilianë, njohje të vjetra të Troisit. Një prej tyre është edhe Lukas Ramos. Mesfushori 24-vjeçar luan si mesfushor qendror, por mund të përshtatet edhe në mbrojtje. Deri më tani ka qenë pjesë e PAS Lamias.

partizani flamurtari1

KONFIRMIMI 

Duket se do të jenë të pakta largimet. Edhe pse klubi paralajmëroi skarcime në masë, nuk do të ndodhë kështu. Boshti kryesor duket se do të ruhet. Kështu lojtarët titullarë Shpëtim Moçka, Andi Ribaj, Jorgos Sarris, Jurgen Vrapi do të vijojnë aventurën në Vlorë. Por edhe të rinjtë Arlis Shala, Arinaldo Rrapaj, Ariel Muçollari, Shaqir Haruni, Romedi Llapi dhe Keviol Kreshpa janë rikonfirmuar që do të qëndrojnë.

LARGIME 

Tjetër largim nga Flamurtari. Valdo Zeqaj ka tërhequr letrat, duke shpallur zyrtarisht “divorcin” me vlonjatët. Lajmin e konfirmoi për “Panorama Sport” vetë lojtari, ndërsa shpjegon se kontrata u zgjidh me konsensus: “Nuk jam më pjesë e Flamurtarit. E zgjidhëm me konsensus marrëveshjen. Uroj më të mirën për Flamurtarin”. Gjasat janë që Kosova të jetë destinacioni i ri i 24-vjeçarit. Madje duket se nuk do të ndërrojë as emër dhe as ngjyra, pasi është shumë pranë transferimit te Flamurtari i Kosovës. Klubi ende nuk ka vendosur për Gersi Diamantin dhe Mateo Qarrin. Këta dy lojtarë deri tani janë lënë jashtë listës së grumbullimit. Ndërkaq, zyrtarisht janë larguar nga Flamurtari edhe Fjoralb Deliaj dhe Ansi Nika, të cilët thanë se e morën vetë vendimin dhe i falën klubit rrogat.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"