Lika mban “peng” Tiranën, presidenti Halili karikon ekipin: Ndeshje e rëndësishme, duhet fituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2017 | 11:11

Lika mban “peng” Tiranën, presidenti Halili karikon ekipin: Ndeshje e rëndësishme, duhet fituar

I lion Lika mban pezull Tiranën. Portieri është stërvitur normalisht dje, megjithatë dhimbjet janë ende prezente. Duke qenë se shqetësimi është muskulor, as garanci nuk ka. Në kësi kushtesh, vetëm sot do të përcaktohet përfundimisht nëse 37-vjeçari do ta nisë apo jo nga minuta e parë kundër Vllaznisë.

ilion lika

Në rastin më të keq, Ze Maria ka gati Alesio Abibin. Një gjë është e sigurt, bardhebluve u duhet siguri në prapavijë. Në Shkodër kanë udhëtuar për të mbrojtur rezultatin dhe rrjedhimisht të ruajnë të paprekur katërkëndorin. Vetëm kështu mund të kualifikohen, ndaj shanset më të mëdha janë që Lika të sakrifikojë, pasi eksperienca e tij është më se e domosdoshme për kualifikimin.

RRESHTIMI – Një ditë më parë bëri taktikë, por dje iu kthye zakonit. Ze Maria e shkartisi grupin dhe rrjedhimisht nuk mund të dalloje 11-shen. Gjithsesi, referuar asaj që provoi të hënën, gjasat janë që në fushë të zbresë mbrojtja “klasike”, ajo e javëve të para, pra me Kërçikun e Hoxhallarin nga krahët dhe Turtullin e Uellisonin në qendër. Para defensivës pritet Maveje, ndërsa në mesfushë ka projektuar Dajën me Karabecin, të mbështetur me Dokën me Sentamunë.

Tirana

Dy të fundit do të kenë detyra sa sulmuese, aq edhe mbrojtëse, ndërsa në sulm ka një balotazh. Duket se trajneri brazilian nuk ka vendosur nëse do të hedhë Grecën apo Ngoonë dhe këtë vendim do ta marrë vetëm 1 orë para se të nisë ndeshja. Me këtë zgjedhje titullarësh që ka bërë, stafi teknik ka të paktën 4 module loje.

Pra, skuadra e projektuar me 4-1- 4-1 mund të shndërrohet edhe në 4-2-3-1, 4-3-1-2, 4-3- 3 apo 4-4-2. Gjithsesi, ky është vetëm një variant. Nuk është e para herë që braziliani na ka surprizuar me formacionin. Ndaj mund të ndodhë që sot të “përmbysë” diçka.

PRESIDENTI – Kishte muaj që mungonte në “Skënder Halili”, megjithatë dje u shfaq para se të niste stërvitja për të mobilizuar dhe karikuar lojtarët. Flasim për presidentin Refik Halili, i cili gjatë mbledhjes që zhvilloi me grupin ua bëri të qartë objektivin. Duke qenë se synimi është Kupa e Shqipërisë, ai pret që të mos diskutohet kalimi në çerekfinale, ndaj mësohet se u ka thënë:

tirana stervitje

“Është ndeshje shumë e rëndësishme dhe duhet fituar me patjetër. Ndeshjen e parë e mbyllëm në favorin tonë, por tani duhet kualifikimi”.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"