Liga e Europës / Kaçe pret Romën, Sadiku dhe Kukeli sfidojnë Paton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2016 | 9:52

Liga e Europës / Kaçe pret Romën, Sadiku dhe Kukeli sfidojnë Paton

Liga e Europës është gati të ngrejë si parin në një skenë ku protagonistë do të jenë edhe katër shqiptarë.

Agolli Karabag

I pari është Ansi Agolli, mbrojtësi i majtë i Kombëtares së Xhani De Biazit, i cili nuk diskutohet për titullaritetin e tij në formacionin e Karabakut. Azerbajxhanasit do të jenë ata që do të hapin ditën e parë të ndeshjeve, ndërsa në Adgam në stadiumin “Tofik Bahramov” do të presin çekët e Slovan Liberecit, ku vjet luante një tjetër shqiptar, Herolind Shala.

Kace Plzen

Por nëse Agolli shpreson ta nisë me fitore, janë tjerët ata që i presin sfida realisht të frikshme, por në të njëjtën kohë shumë emocionuese. Viktoria Plzen do të presë Romën e Françesko Totit. Skuadra çeke, së cilës sivjet i është bashkuar mesfushori Ergys Kaçe, do të kërkojë të bëjë surprizën në stadiumin e saj. Trajneri Pivarik nuk ka dhënë indikacione për formacionin në konferencën e djeshme për shtyp, por duke u nisur nga informacioni që ka grumbulluar media italiane në panoramën e saj për kundërshtarin e Romës, Kaçe pritet të jetë titullar në mbrëmjen e sotme, ndonëse prezenca e tij shqetësohet nga Patrik Hrosovski, një lojtar me peshë i Plzenit.

Sadiku-Kukeli

Akoma më e zjarrtë pritet të jetë atmosfera në Spanjë. Në stadiumin “El Madrigal”, i cili pritet të vishet i gjithi me të verdhë, do të jenë protagonistë dy shqiptarë, Burim Kukeli dhe Armando Sadiku. Mesfushori dhe sulmuesi i Zyrihut, të cilët kanë vendosur t’i qëndrojnë besnikë skuadrës së tyre, pavarësisht rënies në kategorinë e dytë helvete, pritet të jenë që të dy titullarë, pasi në kampionat pushuan dhe e nisën që të dy nga stoli në fitoren ndaj Kiasos. Sadiku në këtë takim mund të ketë një sfidë në distancë me ish-milanistin Aleksandre Pato, i cili, edhe pse me një dëmtim në gju, pritet të grumbullohet.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"