“Levandovski do ta thyejë rekordin e Gerd Mylerit”, Flik: Do të ketë mundësi që të luajë 2 ndeshje më shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 2, 2020 | 14:27

“Levandovski do ta thyejë rekordin e Gerd Mylerit”, Flik: Do të ketë mundësi që të luajë 2 ndeshje më shumë

Trajneri i Bajernit të Mynihut, Hansi Flik, ka besim se kur të rinisë sezoni, Robert Levandovski, do të ketë mundësi për të thyer rekordin e golave sezonalë në Bundesligë të legjendës Gerd Myler. Me sezonin e ndërprerë 3 javë më parë, sulmuesi polak renditet në krye të listës së golashënuesve me 25 gola pas 25 javësh, përpara Timo Vernerit (Lajpcig), i cili ka shënuar 4 gola më pak.

Levandosvki Flik

“Gjithçka është e mundur. Ai do të ketë mundësi që të luajë në dy ndeshje më shumë”, iu përgjigj Flik pyetjes së Agjencisë Gjermane të Lajmeve, nëse 31-vjeçari do t’ia dalë që të thyejë rekordin e vendosur nga Myler në Bundesligë gjatë sezonit 1971-72 (40 gola). Ndeshjet kundër Unonit të Berlinit dhe Aintrahtit të Frankfurtit, të shtyra gjatë muajit mars për shkak të Koronavirusit, polaku do t’i humbiste me siguri për shkak të dëmtimit në gju që pësoi në ndeshjen e Champions-it kundër Çelsit në fund të muajit shkurt.

Këtë të shtunë, ai pritej të rikthehej në fushë në klasiken kundër Borusias së Dortmundit. “Robert ka një mesatare fantastike golash. Ai është një formë maksimale këtë sezon dhe kjo jo nuk vlen vetëm për Bundesligën, por edhe në Ligën e Kampioneve”, shtoi tekniku i Bajernit.

Edhe në Champions, numri 9 i Bajernit kryeson listën e golashënuesve deri në fazën e 1/8-ave, me rekordin personal të 11 golave. Në 39 ndeshjet në total këtë sezon me klubin, Leva ka shënuar 33 herë në të gjitha kompeticionet.

ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"