Leva shemb grekët, por gjymtohet Bajerni. Kovaç me dhimbje koke: Çfarë tersi!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2019 | 9:58

Leva shemb grekët, por gjymtohet Bajerni. Kovaç me dhimbje koke: Çfarë tersi!

Niko Kovaç mund të flejë i qetë, të paktën për disa ditë. Pas furtunës në kampionat ku Bajerni nuk po arrin të tregojë të njëjtën formë si në Champions, gjermanët fituan 3-2 ndaj Olimpiakosit në transfertë.

kovac kimish

Një fitore që është shumë e rëndësishme për ecurinë në Champions. Gjithsesi, Kovaç ka një merak, dëmtimin e Lukas Hernandezit dhe Havi Martinezit. Francezi ra përtokë sapo nisi pjesa e dytë, duke u detyruar të dalë nga fusha e lojës.

“Hernandez kishte dhimbje të mëdha. Shpresojmë të mos jetë aq e rëndë sa dukej, por na duhet të presim. Në pushim të ndeshjes ai kishte probleme muskulore, por ne nuk u treguam të kujdesshëm”, tha Kovaç. Ndërkohë, për sa i përket takimit të fituar, kroati u shpreh: “Një fitore që kërkoi shumë punë. Pas 1-0 skuadra reagoi mirë dhe ktheu takimin në favor të saj. Kjo është për t’u përgëzuar. Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, por kjo nuk ka shumë rëndësi për mua. Momentalisht nuk mund t’i menaxhojmë dot ndeshjet dhe për këtë më vjen shumë keq. Loja nga krahët nuk ishte ashtu siç e mendoja. Kjo, edhe për meritë të kundërshtarit, i cili në fushën e tij luan një futboll shumë të shpejtë”.

E ARDHMJA

Tekniku i bavarezëve foli edhe për ndeshjet e ardhshme, të cilat shpreson t’i fitojë për të larguar dyshimet se skuadra po kalon një krizë.

“Deri në pushimin e radhës për ndeshjet e kombëtares na duhet t’i fitojmë të gjitha takimet. Nuk dua të flas për individë të caktuar, por sot (dje) skuadra bëri shumë mirë. Sigurisht që mund të bëjmë edhe më mirë, por duhet të na jepni kohë për t’u futur në ritëm. Dëmtimet e shumta në mbrojtje? Është një moment jo i mirë, fati nuk ka qenë në krahun tonë dhe për këtë më vjen shumë keq. Për momentin më kënaq fakti që kemi 9 pikë dhe jemi shumë pranë kualifikimit për në fazën me eliminim. Por, gjithsesi, nuk duhet të relaksohemi shumë, pasi në Champions asnjëherë nuk i dihet”, përfundoi trajneri Kovaç.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"