Leon Kozi, një zbulim te Tirana: Katërshen nuk e diskutojmë, ëndrra ime është të luaj në Premier Ligë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2024 | 20:27

Leon Kozi, një zbulim te Tirana: Katërshen nuk e diskutojmë, ëndrra ime është të luaj në Premier Ligë (E PLOTË)

Emri: Leon. Mbiemri: Kozi. Profesioni: Portier. Ai është zbulimi i ri i bardhebluve ose më saktë, Leoni është aty prej kohësh, por vetëm këtë sezon iu dha mundësia që të jetë titullar në fushën e lojës.

KOZI

Një emër simbolik për ata që njohin filmin e Luk Bersonit, me Leonin që ishte me profesion “spastrues”. Edhe Leoni është spastrues në një farë mënyre, por i zonës së Tiranës në futboll. Në çdo ndeshje ku ka luajtur ka qenë vendimtar. I dha kualifikimin bardhebluve në Kupë, por edhe fitoren me Dinamon. Në një intervistë për “Panorama Sport”, portieri foli për paraqitjen e tij me fanellën bardheblu.

Leon, një tjetër ndeshje shumë e mirë juaja. Tashmë jeni vendimtar për Tiranën?

Të them të vërtetën që nga sfida me Teutën në Kupë jam mirë moralisht. Po stërvitem shumë fort për të arritur edhe më lart. Mendoj dhe shpresoj se do të vazhdoj këtu përsa minuta do të jem në fushën e lojës dhe kjo për t’i dhënë Tiranës më të mirën e mundshme.

Cili është sekreti juaj për këto paraqitje që po bëni në këtë kampionat?

Sekreti im është puna dhe vetëm puna. Ajo të rrit në maksimum për të shkuar edhe më lart.

Si e keni parë skuadrën këto javë. Keni vuajtur, por duket se tani gjërat po shkojnë për mirë?

Sekreti i skuadrës është se jemi mirë me njëri-tjetrin. Jemi si një familje dhe shpresoj që do të ecim sa më lart në këtë kampionat për të arritur objektivat që kemi.

Mund të kishit pasur më shumë minuta, po a ju vjen keq që këtë kampionat nuk e nisët nga fillimi?

Nuk më vjen keq që nuk luajta disa ndeshje. Edhe ata që luajtën janë kolegët e mi, njerëzit e mi dhe për mua nuk është problem. Luan ai që vendos trajneri dhe që është më mirë.

Tirana është një pikë larg finaleve të kampionatit. Tirana, a e kap “Final 4”-in?

Në “Final 4” shkojmë pa diskutim. Është 100 për qind e sigurt që Tirana do të jetë atje me skuadrat e tjera për të luajtur për titullin kampion të këtij sezoni.

Me Dinamon po fitonit 2- 0 dhe e rrezikuat ndeshjen. Ekipi i Tiranës, çfarë bëri keq në ato minuta që u barazua takimi?

Si derbi që është ishte sfidë e luftuar nga të dyja anët. Mund të ndodhte gjithçka, por ne ia dolëm të fitonim.

Tirana ka një skuadër ters këtë sezon, Partizanin, të cilën nuk e ka mundur asnjëherë. Kur do të vijë ajo fitore?

Për derbin e madh do të presim pak. Do të marrim takimet një pas një dhe për Partizanin ka ende kohë. Qëllimi ynë është ndeshja e radhës në kampion.

Çdo lojtar ka një pikë referimi në karrierën e tij. Cili është idhulli juaj në futboll?

Idhulli im është Ederson Moraesh.

Për ata që nuk e dinë, apo që janë kuriozë për lartësinë tuaj, sa i gjatë është Leon Kozi?

Jam 1.88 metra gjatë. Cila është ëndrra juaj në sirtar, ose më saktë ku do të donit të luanit në të ardhmen?

Cila është ëndrra juaj në sirtar, ose më saktë ku do të donit të luanit në të ardhmen?

Të gjithë e kanë një ëndërr në sirtar. Unë kam kampionatin anglez, por ka kohë për atë punë dhe është goxha larg.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"