Largohet pa lënë shenjë lojtari që i kushtoi Partizanit 580 € në ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2016 | 12:57

Largohet pa lënë shenjë lojtari që i kushtoi Partizanit 580 € në ditë

“Dalibor Volas është lojtar i Partizanit. Sulmuesi nga Sllovenia ka arritur akordin me të kuqtë ku ka firmosur me klubin kontratë 1-vjeçare”. Kështu njoftoi klubi kryeqytetas më 7 korrik, menjëherë sapo ekipi u kthye nga Bratislava. Sulmuesi arriti në Tiranë më 11 korrik, pasi ndodhej në Malajzi, por nga dje 29-vjeçari nuk do të jetë më pjesë e “demave të kuq”.

sormani volas

“Panorama Sport” e ka njoftuar që para transfertës së Salzburgut që Dalibor Volash ka bërë gati valixhen për t’u larguar. Shkak për këtë është bërë forma jo e mirë e sulmuesit, i cili për një muaj nuk arriti që të fitojë besimin e stafit teknik, ndonëse pas miqësores me Kamzën sikur dha disa shkëndija në stërvitje.

volas

Pas bisedimeve disa ditore dje palët kanë arritur akordin për të ndërprerë me mirëkuptim bashkëpunimin. Dalibor Volas u mendua se do të ishte zëvendësuesi ideal i bomberit të sezonit të shkuar, Xhevahir Sukajt, por në asnjë rast ai nuk arriti që të afrohet në parametrat e shkodranit.

Kur nënshkroi me Partizanin u tha se slloveni do të përfitojë një rrogë prej 7 mijë eurosh muaj. Asokohe u tha se në momentin e nënshkrimit të kontratës, Volas ka marrë tri rroga paradhënie, që i bie 21 mijë euro. Duke llogaritur datën që u paraqit në Shqipëri, më 11 korrik, i bie që aventura e sulmuesit slloven me Partizanin ka zgjatur 36 ditë.

Sipas një llogarie të thjeshtë matematikore, duke pasur parasysh kohën e qëndrimit dhe shumën paradhënie, i bie që Dalibor Volas i ka kushtuar rreth 580 euro në ditë klubit kryeqytetas. Nuk dihen detajet ndërprerjes së bashkëpunimit. Shuma financiare që u ka kushtuar slloveni “demave” i referohet asaj që u tha në momentin nënshkrimit të kontratës.

volas

Shkaku i largimit

Paraqitja e Volasit në miqësoren e fundit me Kamzën la shumë për të dëshiruar, duke shërbyer si “guri i provës” për të intensifikuar bisedimet për prishjen e marrëveshjes së nënshkruar, në korrik me sulmuesin slloven. Për gjatë muajit të fundit, stafi teknik ka shfaqur pakënaqësi për sulmuesin, i cili erdhi me një CV të pasur, por nuk dha asgjë nga bagazhi i tij. Sulmuesi ka lënë dje Shqipërinë dhe ka udhëtuar drejt familjes së tij në Slloveni, fakt të cilin e ka vërtetuar edhe lojtari përmes një postimi në rrjetet sociale.

Nga Pejiç te Mici, ja blofet e Partizanit në merkato

Merkatoja verore e Partizanit është shoqëruar me oshilacione të shumta, ku nuk kanë munguar edhe blofet. Zgjedhja e gabuar në alternativa apo mosguximi për ndonjë lojtar të veçantë nga Partizani ka bërë që të përfitojnë rivalët kryesor të kryeqytetasve.

Gabimi i parë i Partizanit në merkato nis me Xhevahir Sukaj, pasi drejtuesit nuk insistuan që ta mbanin shkodranin, ndonëse pas kthimit të tij nga Malajzia u tha se ka rinovuar me të kuqtë. Por 24 orë para sfidës me Slovan Bratislavën, Sukaj lejohet që të mos luaj me ekipin sllovak, duke e lënë të lirë të firmoste me Perak në Malajzi.

Sukaj

Blofi i dytë, që mund të peshojë shumë është Dalibor Volas, emri i të cilit u përzgjodh gjatë kthimit të skuadrës nga transferta e Bratislavës. Slloveni ishte në balotazh me Pero Pejiç, pasi klubi paralelisht po bisedonte me dy “pykat”. Në fund u vendos për Volasin, i cili doli “fiasko” brenda një muaji, por që i ka kushtuar klubit shumën që mund të ishte e nevojshme për afrimin e Micit. Me përzgjedhjen e gabuar të kuqtë i bënë “dhuratë” Pejiçit një rival direkt në kampionat, Kukësin.

Gledi Mici është zhgënjimi më i freskët i merkatos së Partizanit. Të kuqtë e kryeqytetit ishin favorit për të marrë shërbimet e fierakut, i cili do të blindonte një pozicion problematik, si krahu i majtë i mbrojtjes. Dëshira e lojtarit ka qenë të vishej i kuq, por edhe klubi kuksian ia afroi Partizanit ofertën për Micin. Por drejtuesit e kuq nuk deshën të përfshihen në marrëveshje me Kukësin, i cili në fund e zbriti në 20 mijë euro plus kartonin e Kalarit që ta linin lojtarin të vishej i kuq.

gledi mici

Drejtuesit e kuq kishin bindje se Micin do ta merrnin falas duke shpresuar që lojtari të dilte i lirë nga Dhoma e Zgjidhjeve të Konflikteve në FSHF. Madje oferta e Kukësit për Partizanin ka qenë deri dje në mesditë, por me mefshtësinë e tyre ata i bënë një asist të bukur rivalit kryesor për titullin kampion, Skënderbeut. Pra, blofet e Partizanit kanë përforcuar rivalët e tyre kryesorë për sezonin e ri. Në ditët në vijim Partizani mund të humbasë edhe ndonjë titullar tjetër.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"