Laçit i mjafton Lushkja, Korabi zhytet më shumë në fund (Video)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2017 | 14:13

Laçit i mjafton Lushkja, Korabi zhytet më shumë në fund (Video)

Laçi ka braktisur zonën e ftohtë të klasifikimit të Superiores duke zhytur më thellë aty Korabin pas duelit të drejtpërdrejtë të mbijetesës mes dy skuadrave që u luajt sot në Elbasan.

Kurbinasit e filluan takimin me një gol të shpejtë të Lushkjes dhe më pas administruan me qetësi rezultatin falë edhe përforcimeve cilësore të bëra në merkaton e janarit, ku afrimi i lojtarëve si Sefgjini, Vucaj, Nika e Serxhio Zhunior i ka dhënë një fytyrë tjetër lojës së kësaj skuadre.

Ndërkaq, Korabi u përpoq të reagonte por në momentin më të mirë të dibranëve, Peposhi la skuadrën me 10 lojtarë pas një kartoni të kuq më se të evitueshëm dhe praktikisht i dorëzoi ndeshjen kurbinasve të cilët dominuan minutat e mbetura. U deshën disa pritje të Vujadinoviç për të shpëtuar dibranët nga një bilanc edhe më i thellë negativ në këtë humbje që rrit distancën e Korabit nga ekipet që ka më lart në klasifikim.

korabi laci

MINUTË PAS MINUTE

90’+4’ Mbyllet ndeshja në Elbasan me fitoren minimale 1-0 të Laçit.

88’ I sapofuturi në lojë, Shala, gjuan nga distanca, por Vujadinoviç grushton përsëri për të evituar golin e dytë.

87’ Goditje dënimi për Korabin nga e majta. Mziu dërgon topin drejtpërdrejt në kuadrat duke detyruar Selmanin të largojë topin me një grushtim vendimtar.

76’ Tjetër tentativë e Serxhio Zhunior nga distanca, por vjen një tjetër pritje e shkëlqyer e Vujadinoviç që mban në lojë skuadrën e tij.

70’ Vucaj provon vetë me një gjuajtje në hyrje të zonës por gjen të gatshëm Vujadinoviç.

69’ Ardit Peposhi gabon gjithçka duke prekur topin me dorë para sinjalizimit për faull të gjyqtarit Sokoli dhe ndëshkohet me karton të dytë të verdhë, duke lënë skuadrën e tij me 10 lojtarë, për të komplikuar shanset për rikuperim të rezultatit.

67’ Pasim i shkëlqyer i Vucajt që nxjerr Çelhakën të vetëm par Vujadinoviç, por mesfushori dërgon topin jashtë në mënyrë të pabesueshme edhe pse vetëm pak hapa larg portës.

61’ Lushkja provon nga distanca por Vujadinoviç është në pozicion dhe pret i qetë.

53’ Aksion individual i shkëlqyer i Serxhio Zhunior, i cili gjuan në ecje e sipër duke tentuar të kalojë Selmanin por ky i fundit ndalon sferën me një grushtim po aq spektakolar.

45’+2′ Mbyllet pjesa e parë.

43’ Debuton afrimi më i fundit i Laçit, Serxhio Zhunior, i cili hyn në fushën e lojës në vend të Kanaparit.

39’ Pretendon për penallti Kortabi, pas një kontakti të dyshimtë në zonë mes Sefgjinit dhe Hoxhajt.

37’ Aksion nga e djathta e Korabit, topi në qendër për Hoxhajn që gjuan por Selmani shpëton portën me një devijim të shkëlqyer.

32’ Loja është bërë më agresive, nga të dy ekipet që nuk kursejnë ndërhyrje të rënda për të ndalur kundërshtarët.

19’ Depërtim nga e majta e sulmit të Korabit dhe gjuajtje e shpejtë e Hoxhajt i cili godet shtyllën e portës së kurbinasve.

15’ Aksion shumë i mirë nga e djathta për Laçin me topin që harkohet në zonë, por Kanapari nuk arrin të devijojë topin në rrjetë.

3’ Vjen edhe goli i shpejtë i Laçit me anë të Lushkjas, i cili dërgon topin në rrjetë pas një rrëmuje në zonë.

2’ Mundësi e mirë shënimi për Laçin, me topin që përfundon nga e majta në qendër për Çelhakën i cili gjuan por gjen ndërhyrjen e Vujadinoviç.

1’ Fillon ndeshja në Elbasan.

Korabi-Laçi 0-1
3’ Lushkja

Korabi: Vujadinoviç, Shabani, Prençi, Çela, A.Peposhi, Kaja, Zefi, Gavazaj (72′ Jubani), Kaloshi (62′ D. Peposhi), Mziu, Hoxhaj.

Trajner: Gerd Haxhiu

Laçi: Selmani, Musaj, Rajoviç (77′ Qaqi), Gjoni, Sefgjini, Nika (88′ Shala), Vucaj, Lushkja, Jonuzi, Çelhaka, Kanapari (43′ Serxhio Zhunior).

Trajner: Bledar Sinella

KV: Shabani, A. Peposhi / Lushkja, Sefgjini, Çelhaka

KK: A. Peposhi

Gjyqtar: Olsi Sokoli

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"