Laçi kërkon të ndalë kampionët, ja plani i Josës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 20, 2024 | 9:26

Laçi kërkon të ndalë kampionët, ja plani i Josës

Laçi zbarkon sot në stadiumin e Partizanit, ku do të tentojë të thyejë ecurinë e dy barazimeve radhazi dhe të marrë tri pikët e radhës, shumë të rëndësishme për pozitat në renditje.josa

Trajneri Mirel Josa është përpjekur ta përgatisë skuadrën fizikisht, por edhe mendërisht për këtë ndeshje ndaj kampionëve në fuqi. Kurbinasit janë të bindur se i kanë mundësitë për të ndalur “demat”. Josa pritet të rreshtojë një formacion me skemën klasike 4-3-3. Përveç Dajsinanit në portë, në krahët e difensivës, priten Mjaki dhe Qato. Në qendër me shumë mundësi do të luajë dyshja Dajko-Paulo Silva. Ka një dyshim në mesfushë, aty ku Barjamaj shihet më i avantazhuar se Manellari.

Kryeziu dhe Ujka me shumë mundësi plotësojnë treshen. Në sulm priten Melo, Sobouale dhe 17-vjeçari Olsi Myrta. Skuadra e Mirel Josës e nisi vitin me një barazim ndaj Erzenit dhe gjen tashmë përballë një kundërshtar akoma më serioz, si Partizani. Ndaj të kuqve, kurbinasit kanë thuajse një vit pa fituar, teksa dy ndeshjet e këtij sezoni kanë rezultuar të jenë thuajse fotokopje.

Bardhezinjtë janë mposhtur në të dyja ndeshjet me shifrat 1-0, ku loja ka qenë thuajse e barabartë, por Partizani ka shënuar në minutat e fundit. Fillimisht ishte Maget në ndeshjen e javës së dytë dhe më pas Taipi, në fazën e dytë në Laç. Këtë herë kurbinasit do të kërkojnë të thyejnë tersin e minutave të fundit ndaj kampionëve në fuqi. Sa i përket merkatos, vijon të jetë e mbyllur nga FIFA dhe të mos ketë asnjë lëvizje.

NJMGHK

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"