Kushte mesjetare në Laç, lojtarët ndërrohen në natyrë (FOTO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2016 | 22:51

Kushte mesjetare në Laç, lojtarët ndërrohen në natyrë (FOTO)

Nga Laçi në… Marsejë apo Lens. Qytete që nuk i lidh asgjë, por që gjatë qershorit u mbuluan të gjitha nga flamujt kuqezi. Nga zhveshja mesjetare në natyrë në vitrinën më të madhe të futbollit europian. Shqipëria e futbollit ka ekstreme të frikshme.

lac

Jo më shumë se 44 kilometra nga kryeqyteti shqiptar dhe vetëm katër muaj pasi edhe Shqipëria ia doli më në fund të përfaqësohej në një kompeticion të rëndësishëm të futbollit, situata është ulëritëse dhe skandaloze. Bëhet fjalë për futbollin e të rinjve, aty ku shpresohet se do të dalin brezat e rinj të lojtarëve që një ditë mund të veshin edhe fanellën kuqezi.

lac1

Skandali

Gazeta “Panorama Sport” sjell foto ekskluzive të kushteve skandaloze në të cilat luhet futbolli i të rinjve. Përtej projektorëve verbues në Superiore, gjendja te kampionatet U-17 dhe U- 19 është e frikshme. Pas fotove të situatës në Krujë, gjendja në Laç është edhe më e rëndë. Lojtarët nuk kanë as kushtet më elementare jetësore për të qenë gati përpara një ndeshje.

lac2

Në fushën e Laçit, ku ekipet e moshave të këtij qyteti zhvillojnë ndeshjet e kampionatit, mungojnë tualetet dhe dhomat e zhveshjes. Lojtarët detyrohen që të ndërrohen në natyrë dhe në sy të tifozëve, prindërve apo zyrtarëve të ndeshjes. Kushte mjerane për lojtarët e së ardhmes.

lac3

Gazeta ka arritur të sigurojë fotot se si ndërrohen futbollistët përpara një ndeshjeje. Fotot flasin vetë dhe janë shkrepur vetëm tri ditë më parë përpara takimeve mes Laçit dhe Internacionalit, për të dyja grupmoshat, U-17 dhe U-19.

lac4

lac5

AHMET ZANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"