Kukësi nën presion, kërkohet fitore me çdo kusht ndaj Luftëtarit. Shpresojnë edhe te ndalesa e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2020 | 10:30

Kukësi nën presion, kërkohet fitore me çdo kusht ndaj Luftëtarit. Shpresojnë edhe te ndalesa e Tiranës

Pas 26 javësh kampionat, Kukësi është plot 9 pikë më pak se kryesuesit e Tiranës dhe dy rezultatet e fundit e kanë përkeqësuar edhe më tepër situatën. Tashmë presioni i ka kaluar skuadrës, që duhet të fitojë me çdo kusht ndeshjet e mbetura për të shpresuar te përmbysja. Ekipi është plotësisht në presionin e rezultateve dhe kjo është vërtetuar kur drejtuesi i stolit u ndërrua.Goli i Kukesit

Shpëtim Duro u largua pas barazimit me Teutën dhe vendin e tij e zuri Orges Shehi. “Topi” i kalon skuadrës për të bërë ndryshimin, por situata është përkeqësuar edhe më tepër. Duke ditur këtë gjë, lojtarët kanë premtuar se do të reagojnë për mirë urgjentisht, pasi koha për gabime nuk falet. Ndaj Luftëtarit pritet kthesa e madhe, e natyrisht që kuksianët kanë edhe një sy nga ndeshja që Tirana luan në Ballsh, aty ku Bylisi ka mundur më parë jo vetëm bardheblutë, por edhe verilindorët. Shkurtimi i distancës që këtë javë, do të ishte një sinjal i mirë për sprintin final.

PROBLEMATIKAT

Trajneri Orges Shehi erdhi me shumë optimizëm në krye të Kukësit, duke ditur emrat dhe organikën që kjo skuadër ka në përbërje, por ai u ndesh me një fenomen që nuk e priste. Mungesat e shumta dhe dëmtimet që Kukësin e kanë kapluar, ia bënë më të vështirë situatën. Në ndeshjen e një jave më parë ndaj Vllaznisë, Shehi nuk kishte gati gjysmën e ekipit (Shkurtaj, Musolli, Ethemi, Rroca dhe Abazaj i dëmtuar). Edhe pse grupi u kompletua disi ndaj Skënderbeut, sërish u ndje mungesa e kryegolashënuesit Shkurtaj, e gjithashtu Mustës dhe Teqjes.kuper kukesi

Para ndeshjes me Luftëtarin verilindorët vijnë sërish me shumë probleme dëmtimesh e mungesash. Në një kohë që Shkurtaj dhe Musta dihen që do të mungojnë edhe disa javë, trajneri nuk do të ketë në dispozicion as qendërmbrojtësin Erhun Obanor.

Nigeriani ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, kështu që do të pushojë ndaj Luftëtarit për të qenë gati më pas në startin e fazës së katërt me Partizanin. Rikthim i rëndësishëm në momentin e duhur është Teqja, i cili do të kompensojë në këtë mënyrë mungesën e Obanorit. Pritet që në ndeshjen e nesërme, Shehi të bëjë disa ndryshime në formacion.

Skerdilaid Sulozeqi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"