Kukësi ia ka marrë dorën Laçit, kalendari në favor të verilindorëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2023 | 12:50

Kukësi ia ka marrë dorën Laçit, kalendari në favor të verilindorëve

Kukësi kërkon ta lërë sa më parë vendin e fundit. Bëhet fjalë për një pozicion që blutë nuk e kanë lëshuar asnjëherë në këto tetë javë kampionat, teksa edhe ecuria e mirë e javëve të fundit nuk shërbeu për këtë gjë.

kukesi stavri nica

Mirëpo, duket se verilindorët kanë mundësinë e mirë që përgjatë ndeshjeve në vijim të marrin rezultate pozitive dhe të bëjnë ngjitjen që po kërkojnë prej kohësh në renditje.

Thuhet kështu, pasi kanë përpara një kalendar që në pamje të parë duket i favorshëm. Jo nga skuadrat që kanë përballë, sepse nuk janë rivalë të lehtë, por fakti se ku do t’i luajnë.

KALENDARI – Në katër sfidat e ardhshme, Kukësi do të luajë tri ndeshje në “Kukës Arena” dhe një në fushë asnjanëse, në kryeqytet.

Fillimisht verilindorët këtë javë presin Laçin, në kuadër të javës së fundit të fazës së parë. Një kundërshtar që sezonin e kaluar e kanë mundur plot katër herë dhe i kanë marrë 12 pikë të plota. Më pas, kalendari i ka rezervuar sërish një ndeshje shtëpie, ajo me Vllazninë.

Kuqeblutë nuk janë në formën e tyre më të mirë dhe në Kukës mund të përfitojnë nga kjo situatë. Pas shkodranëve, Kukësi do të luajë me Egnatian një ndeshje transferte në kalendar, por që për momentin është vendosur të luhet në Tiranë, në stadiumin e Partizanit.

Madje, ka pasur tratativa që kjo sfidë të luhej në Kukës dhe më pas në fazën e tretë të luhej në Rrogozhinë, por nuk është dhënë dakordësia nga ana e FSHF-së.

Gjithsesi, fakti që luhet në kryeqytet është një “bonus” për ekipin e Nicës, sepse zhvillohet në fushë asnjanëse, ndonëse rrogozhinasit janë për momentin ndër skuadrat më të mira.

Në fund, verilindorët do të presin skuadrën e Dinamos në “Kukës Arena”, rivalin e tyre që aktualisht ka pikët e barabarta në kampionat. Madje, në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Elbasan Arena”, janë mundur vetëm në minutat shtesë të takimit, duke treguar se ekipet nuk kanë shumë diferenca.

Një tur prej katër takimesh që në letër ka një favorizim të lehtë për të besuarit e Stavri Nicës, të cilët shpresojnë ta shfrytëzojnë në maksimum këtë mundësi.

Shtatë pikët e grumbulluara në vetëm tetë javë detyrojnë Kukësin që të pretendojë maksimumin në çdo ndeshje, pasi çdo javë që kalon pa marrë pikë, vështirëson garën e tyre në elitë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"