Kukësi fiton testin ndaj Prishtinës, bindin sulmuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2016 | 9:41

Kukësi fiton testin ndaj Prishtinës, bindin sulmuesit

Kukësi thyen për 32 minuta Prishtinën në miqësore. Pas fitores së parë me Otrantin me shifrat 4-0, ekipi i Duros ka mposhtur dje në Pezë kryeqytetasit e Kosovës me rezultatin 3-1. Në një atmosferë vëllazërore si në tribunë ashtu edhe në fushë u zhvillua ky takim testues.kukesiTë dy trajnerët e nisën me formacionet më të mira që kishin në dispozicion. Pa kaluar shumë nga starti i sfidës, Kukësi zhbllokon shifrat. Mesfushori brazilian, Erik Flores, i cili jo pak herë ka luajtur dhe si sulmues i parë, befasoi portierin mik Kolshi me një predhë nga 25 metra distancë dhe 1-0.

Miqtë nuk qëndruan këmbëkryq, por sulmuan dhe në minutën e 20-të arritën të barazojnë rezultatin. Begolli arriti të mposhtte Koçin. Pasi doli vetëm për vetëm me gardianin kuksian mbas një asisti të bukur të L.Osmanit, i barazon shifrat.

Po kosovarët nuk kanë kohë të festojnë, pasi me të vendosur topin në pikën e bardhë, nënkampionët e Shqipërisë hidhen të gjithë në sulm dhe në të 21-ën minutë shënojnë sërish. Këtë herë radhën e ka braziliani tjetër, i afruari rishtas në merkato, Uilliam. Sulmuesi merr një top nga Karioka, përfiton nga një dalje e gabuar e portierit të Prishtinës, gjuan saktë në kuadrat dhe 2-0.

Kukësi nuk ndalet, sulmon vrullshëm. Këtë herë është sërish Uilliam protagonist, i cili depërton bukur në zonën e kundërshtarit, i nxjerr një top diagonal Eminit, i cili nuk fal dhe i çon shifrat në 3-1. Goli në minutën e 31-të të pjesës së parë do rezultonte dhe i fundit për këtë sfidë.

Pjesa e dytë nis me zëvendësime të shumta, ndikuan edhe për uljen e ritmit të lojës dhe me ngacmime të vogla, të cilat nuk ndikuan në ndryshimin e rezultatit final. Të dy trajnerët në këtë pjesë nuk e panë më rezultatin, por e shfrytëzuan këtë miqësore si provë gjenerale para startit të sezonit.

Pastrohet fusha – Fusha e stadiumit “Zeqir Ymeri” në Kukës ka pasur dje rreth 40 centimetra borë. Për të mos rrezikuar ndeshjen me Bylisin, klubi mori masa. Bora u hoq nga punëtorët e stadiumit me mjete rrethanore, jo me borëpastruese, për shkak se kjo e fundit dëmton tapetin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"