Kukësi do 300 mijë euro për Zeqirin. Muça driblon Tiranën, ka firmosur për gjithë sezonin

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Qershor 29, 2015 | 10:47

Kukësi do 300 mijë euro për Zeqirin. Muça driblon Tiranën, ka firmosur për gjithë sezonin

kukesiKukësi kërkon 300 mijë euro për ta lënë të lirë mesfushorin Hair Zeqiri.

Burime zyrtare në klubin verior konfirmuan dje për “Panorama Sport” se kroatët e RNK Split nuk kanë shanse ta transferojnë vlonjatin pa derdhur më parë shumën e kërkuar.

Në fakt, dy klubet ende nuk janë futur në bisedime, por gjithsesi është vetë lojtari që në parim ka arritur marrëveshjen me kroatët dhe tashmë këta të fundit presin që Zeqiri të zgjidhë kontratën me Kukësin.

Mirëpo, dje menjëherë kanë reaguar drejtuesit kuksianë, të cilët kanë sqaruar se vlonjati është në pronësi të tyre dhe, në të njëjtën kohë, kanë vendosur çmimin e kartonit.

“Zeqiri është lojtari ynë, pasi në verën e vitit të kaluar ka firmosur kontratë 1+1. Marrëveshja i përfundon pas ndeshjeve të Kupave të Europës, por ka në kontratë një klauzolë që e mban të lidhur me ne. Nëse lojtari do të largohet, i duhet të bëjë kërkesë me shkrim dy muaj para përfundimit të kontratës. Mirëpo, Zeqiri nuk e ka bërë një kërkesë të tillë. Nëse lojtari ka arritur marrëveshjen me RNK Split, atëherë ne kërkojmë 300 mijë euro për këtë transferim”, kanë sqaruar dje për gazetën burime zyrtare në klubin verior.

Ndërkohë, tre javë më parë, përpara se Kukësi të niste përgatitjet për sezonin e ri, drejtuesit i bënë të ditur Zeqirit se nuk e kanë më në plane dhe se duhet të gjejë një ekip tjetër. Mirëpo, pas këtij komunikimi, klubi i Kukësit nuk e la të lirë futbollistin, duke i mbajtur “peng” kartonin. Tashmë situata është e tillë, që vlonjati ka marrë një ofertë bindëse nga klubi ku sezonin e kaluar u aktivizua ish-sulmuesi i Kukësit, Sokol Cikalleshi, dhe tanimë ish-mbrojtë- si i Partizanit, Amir Rrahmani. Në ditët e ardhshme, Zeqiri do të ketë një takim me presidentin Gjici, ku do të vendoset përfundimisht nëse transferimi do të kryhet me dëmshpërblimin prej 300 mijë eurosh apo RNK Spliti do të refuzojë. Me këtë shifër, zor se klubi kroat përmbush kërkesat e Kukësit, pasi edhe gjatë verës së vitit të kaluar, dhanë vetëm 100 mijë për Cikalleshin, në një kohë që veriorët donin 200 mijë euro për ta lënë të lirë sulmuesin kavajas.

Muça ia “dredh” Tiranës

Gentian Muça do të jetë i Kukësit për gjithë sezonin. Lajmin e ka konfirmuar dje për “Panorama Sport” vetë presidenti i klubit verilindor, Safet Gjici.

I pyetur nga gazeta për marrëveshjen e bërë me ish-kapitenin bardheblu, shkurtimisht Gjici deklaroi:

“Do të jetë i yni për gjithë sezonin, jo vetëm për ndeshjet e Ligës së Europës”. Kësisoj, ndryshe nga sa u deklarua nga lojtari dhe klubi i Kukësit pak javë më parë, ku theksohej se ishte në formë huazimi vetëm për Europë, akordi mes palëve tashmë është arritur për gjithë sezonin 2015- 2016. Në një kohë që te Tirana e presin, mesfushori, i cili luan edhe si qendërmbrojtës, duket se ka vendosur për të vazhduar karrierën te nënkampionët e Shqipërisë. Në fakt, kërkesat në merkato të skuadrës bardheblu, për të afruar të paktën edhe dy qendërmbrojtës, tregojnë se gjërat me Muçën janë mbyllur.

Megjithatë, pak ditë më parë, presidenti i Tiranës, Refik Halili, i pyetur për 28- vjeçarin deklaroi se mbetet lojtar bardheblu:

“Muça është i yni, nuk ka vend për diskutime. Paçka se aktualisht do të japë kontributin e tij te Kukësi për Europë. Ai është tifoz i Tiranës. Madje, edhe pa pagesë ta lësh, Muça zgjedh gjithnjë këtë fanellë. Megjithatë, atë pagesë që i jep klubi ynë, nuk e gjen asgjëkund. Prandaj e them që është i yni”.

Prapaskenat

Muça është bindur nga projekti i Kukësit për sezonin e ardhshëm, por dhe nga kushtet financiare dhe ka pranuar të firmosë për gjithë sezonin. Një shkak tjetër që lojtari ka pranuar të firmosë është edhe fakti se nuk do të lëvizë nga kryeqyteti, pasi nënkampionët vetëm ndeshjet kryejnë në Kukës, kurse stërvitjen e zhvillojnë në Tiranë. Sipas burimeve pranë Kukësit, lojtari ka pasur problem për të tërhequr letrat nga Tirana, e cila nuk pranonte që ta linte të lirë, por tanimë ai ka firmosur për gjithë sezonin me Kukësin. Muça luan disa role, që nga ai si mbrojtës qendre, por dhe si mesfushor shkatërrues.





www.minuta90.com