Kthimi te Flamurtari nuk mjafton, Duro kritikon Danilo Alveshin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2017 | 11:29

Kthimi te Flamurtari nuk mjafton, Duro kritikon Danilo Alveshin

S hpëtim Duro kritikon sulmin e Flamurtarit. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri shfaq rezerva për Danilo Alveshin dhe Tomislav Bushiçin. Por, më shumë se me kroatin, e ka me brazilianin. Ky i fundit është lojtari më i vlerësuar në ekip, madje edhe financiarisht, ndaj dhe pretendimet e klubit janë të larta prej tij. Në miqësoret e luajtura së fundmi, sulmuesi po përsërit gabimet e kampionatit të fundit, ndërsa vazhdon të shpërdorojë një mori rastesh.

Duro

Duro thekson se Alvesh dhe Bushiç duhet të mbajnë përgjegjësi të mëdha mbi supe për ekipin. “Unë kam besim se kjo skuadër do të jetë shumë e fortë. Por kam edhe vërejtje, sidomos për lojtarët e rëndësishëm të organikës. Më konkretisht për sulmuesin kryesor Danilo Alvesh. Ai është një futbollist, nga i cili presim shumë. Është lojtari më i vlerësuar te Flamurtari. Alvesh vazhdon njësoj, si në sezonin e fundit, duke humbur raste.

danilo alvesh flamurtari kukesi

Me këta futbollistë që kemi në sulm, që kishim edhe vjet, siç është Alvesh dhe Bushiç, presim gola. Nuk mjafton vetëm loja. Merkato? Është shumë e vështirë të kërkoj përforcime në këto momente. Të gjithë lojtarët janë me kontrata. Kemi Alveshin dhe Bushiçin, por ka ardhur koha që duhet të mbajnë mbi supe të gjithë përgjegjësinë në skuadër. Grupi është kompletuar, ndaj jemi gati për kampionatin”, tha Duro.

MIQËSORJA

Trajneri analizon edhe paraqitjen e Flamurtarit në ndeshjen miqësore me Apollon Pontou. Ai theksoi se në ekip ka konkurrencë dhe kjo u vu re në pjesën e dytë e testit të së mërkurës. “Në ndeshjet miqësore nuk shikohet rezultati dhe unë jam i këtij mendimi. Por, nëse i referohemi lojës, unë jam i kënaqur, sidomos në pjesën e dytë. Por, edhe në të parën, ku ekipi humbi dy-tri raste të pastra, sigurisht që do të ndryshonte gjithçka.

Goli i pesuar nga Flamurtari

Kishim raste flagrante të Alveshit dhe Nezirajt. Gabuam në dy-tre momente. I dhamë shumë terren kundërshtarit në 45 minutat e para për shkak edhe të disa gabimeve të mbrojtjes. Pjesa e parë ishte e lodhur. U duk qartë që disa lojtarë, tek të cilët unë kam besim, nuk ishin në freskinë e duhur, por kjo edhe për shkak të ngarkesës.

Ndërsa në pjesën e dytë skuadra ndryshoi tërësisht. Ne kemi kontrolluar të gjithë lojën. Shënuam, por edhe mund të shënonim gola të tjerë. Unë jam i bindur se kjo skuadër do të bëjë mirë, pasi kemi edhe shumë konkurrencë. Kjo u pa në aktivizimin e lojtarëve në pjesën e dytë”, u shpreh trajneri.

PËRGATITJET

Numri një i pankinës së kuqezinjve ndalet edhe te faza përgatitore. “Po ecën shumë mirë. Kemi pasur kushte shumë të mira, si në Maqedoni, ashtu edhe këtu në Greqi. Ekipi po merr ngarkesën e plotë dhe unë jam i kënaqur nga reagimi i futbollistëve. Javën e ardhshme do të fillojë ulja e ngarkesave, me qëllim që të jemi të gatshëm për të nisur kampionatin sa më mbarë”, përfundoi Duro.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"