Kthehet qetësia në Fier, Apolonia “likuidon” Kastriotin për 10 minuta. Trajneri Ndreu: Vuajtëm mungesat në mbrojtje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2024 | 13:59

Kthehet qetësia në Fier, Apolonia “likuidon” Kastriotin për 10 minuta. Trajneri Ndreu: Vuajtëm mungesat në mbrojtje

Apolonia e nis mbarë fazën e tretë duke likuiduar Kastriotin me dy gola. Suksesi i fierakëve ka ardhur që në pjesën e parë, edhe falë golave në 10 minuta të sulmuesit shtatlartë Umejiego dhe mesfushorit Bejzade. Me këtë fitore të pastër në shtëpi, Apolonia i jep fund ecurisë negative.

apol

Nga ana tjetër, Apolonia hedh një hap të sigurt për fazën “play off”, si mundësia e dytë për tu ngjitur në elitë.

Ndeshja –Apolonia që në fillim dominon mesin e fushës dhe është më kërkuese në sulm. Brenda 20 minutash, fierakët regjistrojnë dy raste për shënim, me protagonistë Maksutin dhe Trifonin. Loja vijon me ritëm të lartë nga ana e fierakëve, të cilët gjetën edhe golin e avantazhit në minutën e 28-të. Aksion i gjatë, që nis nga krahu i majtë me mbrojtësin Asllanaj, që gjen shkurt Bejzaden.

Ky i fundit harkon mjeshtërisht në shtyllën e parë duke gjetur Umejiegon, i cili nuk fal me kokë. Pavarësisht avantazhit, fierakët nuk i ndalën sulmet e tyre dhe pas 10 minutash vjen edhe goli i dytë. Bejzade nga rreth 20 metra, gjuan mjeshtërisht me të djathtën dhe topi përfundon drejt e në rrjetë. Në shifrat 2-0 u mbyll pjesa e parë, ku krutanët ishin thuajse “inekzistentë”, në këtë 45-minutësh. Në pjesën e dytë miqtë u treguan më të organizuarit dhe kërkues në sulm.

Në minutën e 55-të, Kuka jep një asiston perfekt për sulmuesin Kapllani, i cili depërton me shpejtësi në zonë, por topi i gjuajtur prej tij përfundon jashtë. Trajneri Ndreu hedh dy sulmues të tjetër në fushë, Marinajn dhe Hoxhën. Minuta 64, Hoxha gjuan fort me të djathtën, por portieri Harizaj me reflekset e tij mban portën të paprekur. Në minutën e 76-të Apolonia i afrohet më shumë se kurrë golit të tretë.

Bejzade harkon në shtyllën e dytë të portës, ku qendërmbrojtësin Ndubuisi gjuan bukur me kokë, por shtylla i thotë “jo”. Minutat e mbetura nuk patën më histori. Fierakët administruan avantazhin e dyfishtë duke ulur ndjeshëm ritmin e lojës herë me zëvendësime herë me dëmtime, ndërsa krutanët ishin dukshëm të dorëzuar dhe të pafuqishëm për të ridalë rrezikshëm në sulm.

Ndreu: Vuajtëm mungesat

Ramadan Ndreu, trajneri i Kastriotit, pas humbjes në Fier tha: “Vuajtëm më së shumti mungesën e dy qendërmbrojtësve. Pikërisht aty çaluam, sado që i adoptuam dy lojtarë të tjerë, por nuk funksionoi. Kemi edhe pak alternativa. Ne duhet ta kishim vlerësuar maksimalisht këtë përballje, megjithatë, na dëmtoi edhe ndeshja e parë në Fier, afro dy javë më parë dhe lojtarët e mi menduan se do e kalonin kollaj”.

HILMI SALIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"