Koordinatori i klubit të Lushnjës: Kemi plane të mëdha për një ekip që nuk do synojë vetëm mbijetesën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2017 | 11:35

Koordinatori i klubit të Lushnjës: Kemi plane të mëdha për një ekip që nuk do synojë vetëm mbijetesën

Lushnjarët do ta mbyllin javën e katërt stërvitore në fushën e stadiumit “Roza Haxhiu”, tashmë në një terren të kufizuar për shkak se ka nisur heqja e tapetit të vjetër. Ndërsa të hënën e ardhshme verdhejeshilët do të udhëtojnë për në Itali, ku në stadiumin “Via del Mare” të Leçes do të luajnë një takim miqësor me skuadrën e Barit, e cila drejtohet nga trajneri Fabio Groso.

lushnja

Kjo do të jetë miqësorja e dytë për verdhejeshilët, pas barazimit 0-0 me Laçin në “Roza Haxhiu”, takimi i zhvilluar këtë mesjavë. Klubi lushnjar ka konfirmuar nisjen e skuadrës ditën e hënë. Pas miqësores me Barin, verdhejeshilët do të udhëtojnë drejt Pogradecit, ku do të vazhdojnë fazën përgatitore në kushte grumbullimi. Ish-presidenti i Lushnjës, Artur Çobani, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, tregon punën organizative të klubit.

“Kemi bërë një organizim të ri dhe unë jam caktuar koordinator i klubit të futbollit, që do të mbajë lidhje me institucionin e Bashkisë dhe me FSHF-në. Kemi plane të mëdha për të ngritur një Lushnjë, e cila do të konkurrojë si e barabartë me të gjitha ekipet e Superiores. Lushnja do të ketë objektiva konkretë dhe jo thjesht për të qëndruar në Kategorinë Superiore.

Objektiva që do t’i bëjmë të ditur në një mbledhje të afërt me praninë e presidentit të klubit Fatos Tushe. Do të ketë dy-tre afrime nga tregu i huaj. Disa biznesmenë, sponsorë do të ndihmojnë në qëndrimin e lojtarëve të huaj në Lushnjë”, u shpreh ish-presidenti Çobani.

Afrimet

Lushnjarët kanë bërë disa afrime në këtë merkato vere duke i zyrtarizuar përmes firmave në kontratë. Një nga lojtarët që do të debutojë me verdhejeshilët është mbrojtësi beratas Eneo Bitri. Futbollisti 21-vjeçar spikati me lojën e tij në miqësoren me Laçin. Këtë sezon ai do të luajë me lushnjarët në formë huazimi.

“Ndihem mjaft mirë te Lushnja dhe i kënaqur që do të luaj në Kategorinë Superiore. Jam i motivuar për të justifikuar besimin që më është dhënë. Jam i përqendruar te përgatitjet për të bërë një sezon të mirë te skuadra e Lushnjës”, u shpreh mbrojtësi Bitri.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"