Kolera në Turqi, kur Partizani refuzonte të luante në Stamboll, por “leksionin” turqve ua jepte Vllaznia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2020 | 12:47

Kolera në Turqi, kur Partizani refuzonte të luante në Stamboll, por “leksionin” turqve ua jepte Vllaznia

Nga UVIL ZAJMI

93794224_1995578860572081_8040969262547861504_n

Astrit Greva

 

 

Viti 1970, në Turqi, zonën juglindore të saj, ka rënë epidemia e kolerës, e rrezikshme, përhapëse dhe të gjithë tentojnë t’i shmangen. Deri edhe ndeshjet ndërkombëtare rrezikojnë të mos organizohen. Shumë skuadra refuzojnë të shkojnë e ndeshen me klubet vendëse. Në një situatë të tillë për Kupën e Kampioneve në baskteboll, sezoni 1970-71, shorti e ka caktuar Partizanin të luajë në turin e parë me turqit e ITU-Stamboll Klub. Por takimi nuk do të zhvillohet. Arsyeja? Astrit Greva, trajneri i Partizanit të famshëm të Fagut, Zaçes, Mushit, Palit, pas një gjysmë shekulli i rikthehet asaj përballje të munguar dhe për panoramasport.al kujton: “Në Turqi kishte rënë kolera dhe skuadra nuk udhëtoi. Nuk na dënuan!”

Z. Greva, si e kalon ditën në këtë izolim të papritur?

Sigurisht e vështirë, të “pastërvitur” për këtë situatë. Jam korrekt, respektoj rregullat. Lexoj, shkruaj diçka, ndjek pak televizor dhe me Terezinën u jemi rikthyer kujtimeve sa sportive, por edhe të jetës prej disa dekadash bashkëshortore. Sigurisht më mungon stërvitja, kafja e mëngjesit te lokali afër shtëpisë, miqtë, shokët. Një ritual jete vështirë të ndryshojë.

Duke qenë në këtë situatë virusi, m’u kujtua Partziani ITU shumë vite më pare…

Një histori që ka lidhje me një epidemi të rrezikshme për atë kohë, siç ishte kolera. Në turin e parë shorti na vuri përballë skuadrës kampione të Turqisë, ITU të Stambollit dhe ndeshja e parë do luhej atje në fund të vitit 70-të.

Me shpresën për një rezultat pozitiv, apo jo?

Duke iu referuar gjendjes fizike, Partizani gëzonte formë të mirë dhe ishte fituar një eksperiencë e pranueshme në takimet ndërkombëtare. Pa e ditur mirë forcën e kundërshtarit me të cilin luanim për herë të parë me klube, sidoqoftë i gjithë grupi ishte entuziast. Ishim të bindur dhe ishte krijuar besim për të pretenduar më shumë. Një kundërshtar që mund të kalohej e mund të ishim kualifikuar.

93226723_244886360207551_3945344399621226496_n (1)

Partizani, basketbolli i viteve 70

 

Në Turqi kishte rënë kolera, apo jo?

Disa javë para ndeshjes u përhap lajmi se në Turqi, kshte rënë kolera. Nga informacionet që vinin, thuhej se kufiri, hyrjet daljet nga ai shtet ishin kufizuar nga frika edhe aeroporti do mbyllej. Nisur nga ky fakt, edhe aktivitete sportive rrezikonin të mos zhvilloheshin. Pra, një farë pasigurie na kapi që takimi me to mund të mos luhej, ndonëse ne vazhdonim përgatitjet intensive.

Kur e vendos që nuk do të luanit kundër tyre dhe kush e vendosi?

Nuk ishte lajm, por një “urdhër”. Kështu e konsiderova nga vetë shteti ynë, që nëpërmjet federatës sonë dhe ministrisë së mbrojtjes, më njoftuan se Partizani nuk do të shkojë në Stamboll, se aty ka rënë kolera. Shumë sqarime nuk jepeshin në ato vite. Mjafton që në në atë vend kishte rënë kolera, sëmunje ngjitëse dhe nuk duhet shkuar.

Pas jush, i takonte Vllaznisë të luante në Stamboll?

Po, është e vërtetë, kundër Gallatasarajt. U lejua të udhëtonte për në Stamboll, pasi ishte dy vite më vonë dhe rreziku prej saj ishte më i vogël. Dhe shkodranët kanë fituar atje, por u eliminuan se kishin humbur të parën.

Sot pa 50 vitesh, si e gjykoni atë përballje të pazhvilluar?

Mosvajtjen e konsideruam një veprim të drejtë, por si vijuan ngjarjet, edhe sot më bën të mendoj e të mos e gjej motivin pse nuk shkuam. Ndonëse FIBA njoftoi se për mos paraqitje të Partizanit ndeshjet i jepen oforfe 2-0 ITU, duke e motivuar për shkak të kolerës, ajo lejoi që në turin e dytë, në Stamboll të udhëtonte Slavia e Pragës që u ndesh pikërisht me ITU-në.

93702259_3144524542248139_3515999046143574016_n

Faqe interneti e FIBA-s, Kupa e Kampioneve 1970-71

 

Partizani nuk është paraqitur disa herë në ndeshje ndërkombëtare. Pse ndodhtge kjo?

Kujtoj se për Partizanin në kulmin e tij në ato vite, për motive absurde të ndikuara edhe nga situatat politike, janë disa takime të pazhvilluara si ajo ndaj kampioneve të Sirisë, Juventud të Badalonës, midis tyre adhe ajo ndaj ITU. Në atë kohë nuk kishte dënime për klube që për një motiv ose një tjetër refuzonin të luanin. Vetëm pak më vonë, kur ato filluan të bëhen më të shpeshta, FIBA nisi skualifikimet disavjeçare për klubet.

Z. Greva, si një personazh shumë publik, i admiruar e respektuar, cili është mesazhi juaj anti-Covid?

Po përjetojmë një situatë të delikate, ku nuk mund bëhet fjalë për sport dhe është e logjikshme, pasi në rrezik vihet jeta jonë. Kush mundet, kushtet ku banon, t’i adaptojë në një palestër të vogël. Mjafton angazhimi, lëvizja, jo qëndrim pasiv. Dëshira për të jetuar çdo ditë, çdo moment të bën të jesh aktiv edhe në këto rrethana. Dhe sporti na ka mësuar të jemi të duruar, të arsyeshëm e të përcjellim mesazhe edhe për njerëzit, jo vetëm ata sportivë. Nga natyra unë jam entuziast. Eksperianca e madhe e jetës na ka edukuar në shumë drejtime.

PANORAMASPORT.AL

 

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"