Klubi përgatit një premio për transfertën në Laç/ Kukësi i karikuar, synohen dy fitore për të kërcënuar kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2020 | 21:37

Klubi përgatit një premio për transfertën në Laç/ Kukësi i karikuar, synohen dy fitore për të kërcënuar kreun

Kukësi ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës që luan të shtunën në transfertë kundër Laçit. Drejtuesit e klubit kanë folur me futbollistët së fundmi dhe ua kanë bërë të qartë rëndësinë e kësaj sfide, aq më tepër që tashmë diferenca me Tiranën është ngushtuar në -6 pikë. Për nënkampionët në fuqi, titulli kalon nga Laçi, kështu që të gjithë janë të vetëdijshëm për të vijuar garën dhe shpresuar te kreu.

kukesi

PLANI – Duke parë kalendarin, kuksianët kërkojnë së pari me çdo kusht fitoren në Laç, e pas kundër Bylisit, në mënyrë që të shkojnë në takimin direkt me Tiranën me një diferencë sa më të vogël. Por, kjo varet vetëm nga bardheblutë, pasi edhe nëse Kukësi i bën mirë detyrat, sërish mbetet për t’u parë nëse Tirana do të lërë pikë me Vllazninë në “Selman Stërmasi” dhe Skënderbeun në Korçë.

Trajneri Orges Shehi kërkon që të shkojë me pikët e plota në kryendeshjen me bardheblutë, ndërsa ka bindjen se kundërshtari do të lërë të tjera pikë rrugës. Për të motivuar edhe më tepër ekipin, klubi u ka premtuar futbollistëve premio dhe rroga me fitoren ndaj Laçit. Paçka se fusha e kurbinasve ka qenë mjaft e vështirë për nënkampionët ndër vite, sërish ata besojnë te kualiteti që kanë. Shumë prej futbollistëve të Kukësit gjejnë në Laç ish-trajnerin Armando Cungu dhe ish-drejtorin Naim Halili.

SITUATA – Skuadra verilindore ka bërë një ecuri mjaft të mirë në rinisjen e kampionatit postpandemisë, ku ka arritur të marrë katër fitore radhazi, tri në kampionat dhe një në ndeshjen e Kupës kundër Apolonisë. Futbollistët janë shprehur mirë në fushë, ku lojtarë si Abazaj, Shkurtaj, Gavazaj, Rroca dhe Ethemi kanë bërë diferencën në pjesën ofensive.

Kukesi lojtaret me maska

Problem për Kukësin mbeten dëmtimet, teksa Erhun Obonar ka mbyllur sezonin, ndërsa Enis Gavazaj ka dhimbje në kavilje. 25-vjeçari, paçka se normalisht duhet të pushonte këtë javë, do të jetë i gatshëm kundër Laçit. Rëndësia e kësaj sfide ka bërë që secili futbollist të marrë përsipër më shumë nga sa duhet dhe sa mundet dhe të sakrifikojë për ekipin. Pritet që ditën e sotme Gavazaj të dalë në stërvitje.

Sakaq, pjesa tjetër e ekipit është në gjendje shumë të mirë fizike dhe psikologjike. Tashmë edhe qendërmbrojtësi Gëzim Krasniqi ka tejkaluar tërësisht dëmtimin që e mbajti shumë kohë jashtë fushave dhe do të jetë 100 % i gatshëm për trajnerin Shehi.

Për transfertën me kurbinasit rikthehet edhe Besar Musolli, i cili mungoi në fitoren 4-1 ndaj Flamurtarit për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve të verdhë. Me luksin e përzgjedhjes, verilindorët duan që të kalojnë me sukses një transfertë mjaft delikate, që gjithnjë kanë hasur vështirësi, edhe pse shpesh kanë fituar si udhëtues në Laç.

Skerdilaid Sulozeqi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"