Klubi mbetet në kaos, Flamurtari është i “shkrirë”. Ja situata në kampin vlonjat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2019 | 21:42

Klubi mbetet në kaos, Flamurtari është i “shkrirë”. Ja situata në kampin vlonjat

Flamurtari “i shkrirë”. Plot 13 lojtarë numëron aktualisht klubi vlonjat si të larguar. Të parët që i thanë lamtumirë Flamurtarit kanë qenë Elton Kale, Agustin Torasa dhe Idriz Batha, të cilët shkuan te Tirana. Duke qenë se te Tirana trajner është Ardian Mema që në Vlorë ishte ndihmësi i trajnerit Daja, ai ka ndikuar në marrjen e disa lojtarëve cilësorë nga klubi vlonjat. Bashkë me lojtarët e sipërpërmendur, së fundmi pjesë e Tiranës u bë edhe portieri i ri vlonjat Pano Qirko, i cili u largua nga Flamurtari.

flamurtarii

Ndërkohë, paralel me Kalenë, Torasën dhe Bathën, iku edhe Emiljano Musta. Elbasanasi u prezantua te Kukësi. Tjetër i larguar është edhe kosovari Argjend Mustafa. Ky i fundit pak ditë më parë u prezantua te Drenica, duke u kthyer në vendlindje.

I larguar është edhe kapiteni Artim Pollozhani, i cili e ka mbyllur karrierën futbollistike, por mund të kthehet në Vlorë si drejtor sportiv i klubit pas propozimit të Idrizit. Ndërkaq, lojtarët e tjerë ende nuk kanë firmosur zyrtarisht, por gjithçka e tillë është vetëm çështje orësh apo ditësh, pasi janë në bisedime me ekipe të tjera. Kështu mbrojtësi vlonjat Franc Veliu është drejt akordit me Gjilanin në Kosovë që drejtohet nga Gentjan Mezani. Palët kanë gjetur edhe akordin për anën financiare dhe pritet vetëm prezantimi i vlonjatit. Në Vlorë nuk qëndron as portieri Enea Koliçi. Gardiani nga Pogradeci është duke u menduar për të zgjedhur mes Skënderbeut apo Kukësit.

flamurtariii

Blerim Kotobelli me shumë mundësi mund ta vijojë karrierën në Shkodër te Vllaznia, ndërsa palët janë në bisedime. Xhevair Sukaj mund të qëndrojë në Vlorë nëse situata zgjidhet. Po ashtu edhe sulmuesi tjetër Andi Ribaj. Por vlonjatët mund të rikthejnë Lejdi Liçajn, për të cilin Idrizi në çdo kohë ka dhënë aprovimin.

Me shumë mundësi edhe Fjoralb Deliaj është në pritje të një telefonate nga drejtuesit e Flamurtarit për të vijuar edhe këtë sezon. Si lojtarë me kontratë aktualisht te Flamurtari kanë mbetur vetëm Amarildo Rrapaj, Mateo Qarri, Ardit Ziaj dhe Sokol Ymeraj.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"