“Kemi grup shumë kompakt, ia dalim”/ Santiago Selmani: Ndaj Kukësit na mungoi fati

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2022 | 19:45

“Kemi grup shumë kompakt, ia dalim”/ Santiago Selmani: Ndaj Kukësit na mungoi fati

Për shkak të zhvillimit të kampionatit botëror, që do të startojë ditën e diel si të gjitha skuadrat e kampionatit të Superiores dhe skuadra krutane, ka vijuar pushimet, për t’u rikthyer në seancat stërvitore, në fillim të javës së ardhshme.

selmani

Shumë futbollistë këtë periudhë pushimesh kanë preferuar të zhvillojnë stërvitje individuale. Një ndër ta është dhe sulmuesi i skuadrës së Kastriotit, Santiago Selmani, autor i dy golave, që kanë rezultuar decizivë për ngjyrat e skuadrës krutane.

“Prej disa ditësh, në stadiumin ‘Redi Maloku’, kam nisur stërvitje individuale, kjo për të ruajtur parametrat fizikë”, shprehet shkurt për “Panorama Sport”.

20-vjeçari, Selmani që me performancën e tij, ka merituar edhe duartrokitjet e sportdashësve krutanë. Barazimi i arritur me Kukësin në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Kamzë, për sulmuesin krutan nuk ishte rezultat i drejtë, sipas tij, skuadra jo vetëm që krijoi volum loje, duke e dominuar në çdo aspekt të saj, por krijoi dhe raste për shënim.

“Zhvilluam një ndeshje mjaft të mirë. Kemi dominuar ndaj një kundërshtari shumë të vështirë siç është Kukësi. Krijuam dhe raste për shënim, por fati nuk ishte me ne në këtë ndeshje”, shprehet sulmuesi Selmani, autori i golit të vetëm në ndeshjen ndaj kuksianëve.

Duke analizuar në tërësi ecurinë e skuadrës së tij në këto 12 javë, për sulmuesin 20-vjeçar, skuadra e tij duhet të ishte pozicionuar më mirë në renditje. Sipas tij skuadra ka zhvilluar ndeshje me nivel, duke qenë jo vetëm i barabartë, por dhe superiorë ndaj skuadrave që janë pretendente për fitime trofesh.

“Kemi një grup shumë të mirë dhe kompakt që është element shumë i rëndësishëm për çdo skuadër. Skuadra deri më tani ka zhvilluar ndeshje me nivel duke qenë jo vetëm i barabartë, por shpeshherë edhe superiorë ndaj skuadrave pretendente. Realisht duhet të ishim më mirë në renditje. E rëndësishme është se skuadra prodhon lojë dhe që është shoqëruar me rezultate pozitive”, përfundoi ai.

Në vazhdim, sipas sulmuesit nga qyteti i Fushë-Krujës, kampionati sa vjen dhe do të bëhet akoma më i fortë. Lufta për fitimin e trofeut ashtu dhe për t’i shpëtuar rënies nga superiorja do të jetë e fortë dhe e vështirë.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"