Kategoria Superiore U-17, Vllaznia dhe Shkëndija janë super

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2016 | 13:48

Kategoria Superiore U-17, Vllaznia dhe Shkëndija janë super

Skuadra e Pinarit, “presion” shkodranëve

Shkëndija e Luan Pinarit ka arritur fitoren e katërt radhazi, këtë herë kundër Kukësit. Në të njëjtën kohë, edhe Vllaznia bashkëkryesuese, ka mposhtur Internacionalin, duke vijuar ecurinë pozitive në kampionat. Shkëndija dhe Vllaznia duket se do të jenë deri në fund rivale në grupin A të paratërinjve.

shkendija e tiranes kukesi u17

Në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në kompleksin e Kamzës, skuadra e Pinarit ka hasur jo pak vështirësi ndaj Kukësit. Fillimisht në minutën e 18-të është Duraku që ka ndërhyrë në mënyrë të gabuar ndaj Mejdanit dhe gjyqtari akordon penallti për Shkëndijën. Nga pika e bardhë është vetë Mejdani që e kthen në gol.

Ndërsa në pjesën e dytë, pas një kombinimi të dyshes Dylgjeri-Zenelak, ky i fundit bën “lëmsh” mbrojtjen e Kukësit dhe shënon golin e qetësisë për vendësit. Në minutën e 52-të ka pasur edhe momente ankthi, kur Lumi i Kukësit detyrohet të niset për në spital, pasi kishte ulje tensioni dhe pati nevojë për serum. Gjithçka për të riun vinte prej lodhjes nga udhëtimi dhe mungesës së të ushqyerit.

ABDULLA DUSHKU

“Zgjohet” Partizani, më në fund 3 pikë

Pas dy barazimeve dhe një humbjeje, Partizani i Nikolin Çoçllit ka gjetur fitoren e parë, të cilën e ka marrë të shtunën paradite ndaj Laçit. Dopieta e Petit ka nderuar të kuqtë, të cilët kanë mbyllur praktikisht historinë e ndeshjes që në pjesën e parë. Goli i avantazhit erdhi në minutën e 9-të, ndërsa afër fundit të fraksionit sërish Peti shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.

partizani u17

Kjo ndeshje ka qenë e bukur për Partizanin, sidomos në 40 minutat e para. Më pas, skuadra laçiane është munduar të reagojë, por ka qenë e pamundur për ta bërë një gjë të tillë. Kështu, falë dy golave të Petit, që deri më tani po shfaqet si golashënuesi më i mirë i Partizanit me katër gola, të kuqtë morën tri pikët e para në këtë kampionat.

partizani laci u17

Trajneri Çoçlli pret më shumë nga lojtarët. Javën e ardhshme Partizani do të luajë në transfertë kundër Portos, e cila ka marrë deri më tani vetëm një pikë. Ky është momenti që të kuqtë të kenë vazhdimësi në rezultate, duke rritur pretendimet në grupin A të paratërinjve.

ABDULLA DUSHKU

Teuta thyen Elbasanin

elbasani teuta u17

Elbasani është mundur minimalisht 0-1 nga Teuta, me një gol të shënuar nga Salillari në minutën e 60-të. Ka qenë një ndeshje e fortë mes të dy ekipeve. Pjesa e parë u mbyll pa gola. Më pas, durrsakët u treguan cinikë, duke shënuar një gol me vlerën e tri pikëve. Edhe pse verdheblutë patën rastet e tyre për shënim, sërish nuk ia dolën dot.

VLADIMIR MEMA

Tirana likuidon Olimpikun me “poker”

Paratërinjtë e Tiranës, që drejtohen nga Sulejman Mema, kanë arritur një fitore të thellë në ndeshjen derbi me Olimpikun. Katër gola kanë shënuar bardheblutë në portën e Beqirajt. Ka qenë një Tiranë e papërmbajtshme, që realizoi nga dy herë në çdo pjesë. Fillimisht është Fabian Isha, ai që hap serinë e golave me një gjuajtje nga jashtë zone.

tirana olimpiku u17

Në minutën e 24-t është Aldo Selenica që dyfishon shifrat, duke e çuar skuadrën e tij në pushim me avantazhin 2-0. Në fraksionin e dytë, bardheblutë arrijnë të trefishojnë me anë të Redi Veriut. Ndërsa për golin e katërt mendoi Marsel Ismailgeci. Olimpiku u tregua i pafuqishëm për të përballuar skuadrën e Memës.

Edhe pse në pjesën e dytë u munduan të rrezikojnë përmes kundërsulmeve, përsëri skuadra nuk diti të finalizonte. Kjo fitore shërben shumë për moralin e bardhebluve të vegjël, të cilët kanë pretendime këtë kampionat, edhe pse tashmë e shikojnë veten me 4 pikë më pak se ekipet kryesuese. Ndeshjen e radhës Tirana do të luajë në transfertë kundër Kukësit.

ABDULLA DUSHKU

Shkëlqen Flamurtari

shkendija e durresit flamurtari u17

Flamurtari merr kreun në Durrës, duke mundur bindshëm Shkëndijën rivale për grupin B. Vlonjatët e Mezanit kanë qenë më të qartë në lojën e tyre, duke shënuar që në minutën e 20-të me anë të Aliajt. Më pas, në pjesën e dytë, edhe pse Shkëndija ushtroi presion të vazhdueshëm, sërish vlonjatët shënuan me Merkajn dhe Musarajn.

JETON REXHMATI

Dinamo trondit korçarët

skenderbeu dinamo u17

Skënderbeu bie në Korçë. Është Dinamo ajo që trondit skuadrën e Ligoraq Tikos. Paratërinjtë bardhekuq kanë shpërdoruar raste të shumta shënimi dhe, për pasojë, janë dorëzuar ndaj miqve. Goli që ka vendosur ndeshjen është ai i minutës së 57-të, kur përmes një kundërsulmi të shpejtë, Qoshku ndëshkon Skënderbeun. Gjithçka u mbyll me shifrat 0-1.

LLAZI SARO

Akademia thyen Porton

akademia porto u17

Pas 4 ndeshjesh, më në fund Akademia gjen fitoren e parë. Ka mjaftuar goli i kapitenit Indrit Tuci, që skuadra e Bozos të merrte tri pikë ndaj Portos. Ndeshja ka qenë e ekuilibruar dhe miqtë kanë rezistuar jo pak. Akademia krijoji më shumë raste shënimi, por sa për nxitim të sulmuesve, aq edhe për meritë të portierit, rezultati nuk ndryshoi.

ABDULLA DUSHKU

Pogradeci s’përmbahet

pogradeci lushnja u17

Pogradeci ka shkatërruar Lushnjën me shifrat e thella 4-0. Loja nisi me vrull nga ekipi vendës, që shënoi dy herë brenda 20 minutash lojë. Fillimisht ishte Abazaj dhe, më pas, Hyko. Në pjesën e dytë sërish dominuan pogradecarët, teksa spikati Yzellari me një dopietë. Pas kësaj fitoreje, liqenorët e shohin veten në vendin e tretë.

PËLLUMB STAROVA

kategoria superiore u17 grupi a

kategoria superiore u17 grupi b

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"