Kategoria Superiore U-17, Vllaznia dhe Flamurtari nuk ndalen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2016 | 12:17

Kategoria Superiore U-17, Vllaznia dhe Flamurtari nuk ndalen

Shkodranët pa frena, likuidojnë Laçin

Vllaznia merr fitoren e radhës dhe vijon kryesimin e kampionatit për Grupin A. Skuadra e drejtuar nga Haris Lika ka mposhtur dje Laçin, në një ndeshje ku ka dominuar totalisht. Kanë mjaftuar 17 minutat e para që praktikisht të mbyllej gjithçka. Kuqeblutë e vegjël kanë kaluar në avantazh me anë të Lezhës, ndërsa më pas, në një hark të shkurtër kohor, arritën të dyfishonin shifrat me anë të Qardakut.

Në 45 minutat e para rastet nuk kanë munguar për të shënuar edhe golin e tretë, por portieri i Laçit nuk e ka lejuar sërish prekjen e rrjetës. Gjithçka për këtë fraksion u mbyll 2-0. Ndërsa në pjesën e dytë shkodranët e administrojnë mirë lojën, në një kohë që edhe miqtë sikur zgjohen dhe shikojnë më tepër drejt sulmit.

Gjithsesi, rrezikshmëria e kurbinasve është e vogël dhe shpresat për të rihapur takimin mbyllen në minutën e 71-të, kur Sekja shënon golin që vulosi triumfin 3-0. Një start perfekt për Vllazninë, që bashkë me Shkëndijën e Tiranës udhëheqin grupin. Javën e ardhshme kuqeblutë luajnë ndaj Internacionalit.

ADMIR URUÇI

1

Flamurtari super, gjunjëzon Skënderbeun

Flamurtari ka gjunjëzuar Skënderbeun në ndeshjen e djeshme në Vlorë, duke siguruar fitoren që në pjesën e parë. Vlonjatët e drejtuar nga Sherif Idrizaj kryesojnë të vetëm renditjen, teksa janë me pikë të plota pas tri javësh kampionat. Ndaj korçarëve ka qenë një ndeshje e luftuar, por vlonjatët e gjetën shumë shpejt golin dhe arritën më pas të administronin më së miri lojën.

Që në minutën e 6-të është Balilaj që kalon në avantazh kuqezinjtë e vegjël. Goli i dytë nuk vonon, teksa Aliaj futet në zonë dhe pengohet nga mbrojtësit korçarë. Gjyqtari akordon penallti, ndërsa nga pika e bardhë nuk fal Merkaj. Në pjesën e mbetur të ndeshjes, Flamurtari ka luajtur më shumë për të ruajtur avantazhin, gjë të cilën e ka bërë mjaft mirë.

Korçarët kanë kërkuar diçka më shumë, por pa shënuar qoftë edhe një gol. Me futjen e Kapllanit në lojë, skuadra korçare ndryshoi për mirë, por e pati shumë të vështirë për të arritur te goli dhe për këtë kanë meritë vendësit. Vlonjatët e vegjël luajnë javën e ardhshme me Shkëndijën e Durrësit.

KASTRIOT BRAHIMAJ

2

Partizani s’di të fitojë, bind Akademia

Derbi kryeqytetas midis Akademisë dhe Partizanit është mbyllur pa fitues, teksa skuadrat kanë ndarë nga një pikë. Megjithatë, në fushë ka pasur spektakël, pasi janë shënuar katër gola. Me shifrat 2-2 është mbyllur takimi, ku Koleci për Akademinë dhe Peti për Partizanin realizuan dopieta. Fillimisht janë të kuqtë, ata që çelin serinë e golave me anë të Petit. Ky i fundit shënoi me kokë pas krosimit të Spahiut.

Por, pas vetëm dy minutash tregon aftësitë e tij Koleci, që ekzekuton me mjeshtëri një goditje dënimi nga 25 metra. Është po ky lojtar, që në minutën e 32-të përmbys gjithçka duke i dhënë avantazhin Akademisë dhe dërguar skuadrat në pushim me shifrat 2-1. Në pjesën e dytë, të kuqtë e Çoçllit rrisin presionin dhe dominojnë me lojë.

Gjithsesi, për të gjetur golin e barazimit, Partizani vuan jo pak. Në minutën e 68- të, pas një prekjeje të topit me dorë, gjyqtari akordon 11-metërsh. Nga pika e bardhë është i saktë Peti, që i jep një pikë Partizanit, i cili ende nuk ka shijuar fitore në këtë kampionat.

3

ADMIR URUÇI

Pogradeci s’ndalet, përmbys AF Dinamon

Pogradeci ka arritur një fitore me përmbysje në fush- ën e vet kundër AF Dinamos. Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar, me miqtë nga kryeqyteti, që kanë arritur të shënojnë të parët. Madje, blutë kanë realizuar edhe golin e dytë, por gjyqtari e ka anuluar mes kontestimeve.

Liqenorët u hodhën në sulm që në fillim, por blutë në minutën e 15-të, pas një aksioni të bukur me protagonist sulmuesin Balla, kaluan në avantazh. Pas pësimit të golit, Pogradeci dominoi, por nuk arriti që të shënonte brenda pjesës së parë. Ndërsa në të dytën, loja nis me një ritëm të lartë nga të dyja ekipet. Liqenorët krijojnë shumë raste, por pa finalizuar.

Gjithsesi, në minutën e 61- të vendësit krijojnë një aksion mjaft të bukur, ku mesfushori Hoxha realizon pas goditjes brenda zonës. Loja sa vjen dhe bëhet më e fortë nga të dyja ekipet, derisa në minutën e 75-të sulmuesi pogradecar, Yzellari, realizon një supergol nga 25 metra. Në fund miqtë mundohen të reagojnë, por Pogradeci e ruan avantazhin 2-1 me fanatizëm.

PËLLUMB STAROVA

4

Barazim spektakolar mes Teutës dhe Besës

Teuta dhe Besa kanë ndarë nga një pikë, por ka qenë vërtet një barazim spektakolar. Skuadrat kanë shënuar në ekstremet e takimit. Kavajasit gjejnë golin që në start, teksa pa kaluar një minutë shënojnë me Gjonbegajn. Më pas barazon Çollaku për Teutën, por është Daja që rikthen avantazhin e Besës. Në fund, Kapllani shpëtoi Teutën nga humbja.

JETON REXHMATI

5

Elbasani mposht blutë

Paratërinjtë e Elbasanit kanë triumfuar ndaj Dinamos, falë një dygolëshi të Rrasës. Ky i fundit ka shënuar fillimisht që në minutën e parë, ndërsa blutë kanë reaguar në pjesën e dytë, duke barazuar përkohësisht me Shimën. Gjithsesi, në minutën e 67-të, Rrasa ka realizuar edhe golin e dytë, duke i dhënë tri pikë të arta Elbasanit.

ABDULLA DUSHKU

6 U-17 Grupi A

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

U-17 Grupi B

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"