Kategoria Superiore U-17, rezultatet e javës së dytë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2016 | 15:46

Kategoria Superiore U-17, rezultatet e javës së dytë

Fitore dhe spektakël, shkodranët super

Vllaznia ka shkëlqyer dje në kryeqytet, duke mposhtur Partizanin me shifrat e thella, 4-0. Skuadra shkodrane ka bërë diferencën në fushë, duke treguar superioritet ndaj të kuqve, të cilët çaluan në të gjitha repartet. Trajneri i paratërinjve kuqeblu, Haris Lika (vëllai i futbollistit të Tiranës, Gilman Lika), pavarësisht fitores së thellë, ka qenë i pakënaqur nga loja e ekipit të tij.

partizani vllaznia u17

Shkodranët kanë shënuar nga dy gola në çdo pjesë. Fillimisht ka zhbllokuar rezultatin Rigers Sekja në minutën e 10-të. Më pas, kur nuk kishin kaluar ende 5 minuta nga goli i parë, është Boriçi që i dyfishon shifrat. Ky fraksion mbyllet 0-2, ndërsa e njëjta tablo paraqitet edhe në pjesën e dytë.

Loja e Partizanit nuk ngrihet në nivelin e pritshëm dhe sërish janë shkodranët më të rrezikshëm. Vllaznia shënon edhe dy gola të tjerë me autorë Kullën dhe Lekajn. Gjithçka mbyllet me triumfin e merituar të kuqebluve, që po ecin me hapin e pretendentit. Pas dy javëve kampionat, shkodranët kryesojnë me pikë të plota Grupin A.

ABDULLA DUSHKU

Bardheblutë, goleadë kundër Akademisë

Tirana e Sulejman Memës ka shpërthyer kundër Akademisë, duke gjetur fitoren e parë për këtë kampionat. Plot pesë gola kanë shënuar bardheblutë e vegjël, në një ndeshje ku kanë dominuar totalisht. Përveçse një episodi në minutën e 24-t, kur dy lojtarë të Tiranës, Basha e Veria, konfliktohen me njëri-tjetrin, ndeshja ka qenë mjaft e qetë.

tirana akademia u17

Loja ishte e hapur për të dyja skuadrat, ku në 40 minutat e para pati katër gola. Basha i dha avantazhin Tiranës, ndërsa më pas dyfishoi shifrat Veria. Por kundërpërgjigja e Akademisë do të vinte me golin e Lori Xhekës, i cili shënon pas një goditje të bukur brenda zonës. Gjithsesi, tiranasit shënojnë menjëherë golin e sigurisë me anë të Marsel Ismailgecit, duke shkuar në pushimin mes pjesëve 3-1.

Në fraksionin e dytë është sërish Tirana ajo që luan më mirë. Veria shënon golin e 4-t dhe të dytin personal. Me të njëjtin ritëm ecën dhe Ismailgeci, që vulos fitoren, në një kohë që i njëjti autor humbi edhe një 11-metërsh. Për Akademinë shënoi golin e nderit Kristi Cani.

ABDULLA DUSHKU

“Çmendet” Shkëndija e Durrësit

shkendija e durresit pogradeci u17

Shkëndija e Durrësit tregohet e pamëshirshme ndaj Pogradecit, duke e mundur me rezultatin e thellë 7-0. Djemtë e drejtuar nga Domi kanë kaluar në avantazh me anë të Berishës, ndërsa protagonistë absolutë kanë qenë Hoti dhe Duka me nga dy dopieta. Interesant ishte fakti se takimi u gjykua nga dy anësore femra të kolegjiumit të Tiranës.

ABDULLA DUSHKU

Teuta përmbys blutë

af dinamo teuta u17

Teuta ka gjetur të shtunën fitoren e parë për këtë kampionat, pikërisht kundër Akademisë Dinamo. Në pjesën e parë janë blutë që luajnë më mirë dhe arrijnë të shënojnë me anë të Kosës. Mirëpo, në 40 minutat e dyta, durrsakët janë më këmbëngulës dhe arrijnë të përmbysin gjithçka falë golave të Lushakut dhe Çiftit pesë minuta para fundit.

ABDULLA DUSHKU

Besës i mjafton një gol

besa dinamo u17

Kavajasit kanë mundur dje Dinamon pas një loje më të mirë se kundërshtari. Besa e nisi takimin plot dëshirë, duke sulmuar e kërkuar golin, që nuk do të vononte. Në minutën e 16-të, loja e verdhezinjve shpërblehet me golin e Gjongecajt. Në 40 minutat e dyta, loja ishte thuajse e njëjtë, me Dinamon që kundërsulmoi, por pa arritur të barazonte.

FERIZ FERIZAJ

Flamurtari nuk fal

elbasani flamurtari u17

Flamurtari mund 2-0 në transfertë Elbasanin për paratërinj, me nga një gol të shënuar në secilën pjesë. Fillimisht realizoi Balilaj në të 35-ën me anë të një goditjeje potente nga jashtë zone dhe, më pas, shifrat i dyfishoi Musaraj në të 65-ën. Edhe pse vendësit patën mundësitë e tyre për të shënuar të paktën një gol, në fund nuk ia dolën dot.

VLADIMIR MEMA

Skënderbeu pa mëshirë, shkatërron Lushnjën

skenderbeu lushnja u17

Skënderbeu është treguar i pamëshirshëm në takimin e djeshëm, duke mundur me rezultatin e thellë 7-0 Lushnjën. Ka qenë një Skënderbe i shkëlqyer, duke dominuar totalisht ndaj një kundërshtari që rezistoi vetëm 24 minuta. Protagonisti kryesor i këtij takimi ka qenë kapiteni Eqerem Liqeri, i cili ka shënuar katër gola.

Në 40 minutat e para Skënderbeu shënoi tri herë, teksa serinë e golave e hap Liqeri. Më pas dyfishon shifrat Goskova, ndërsa në minutën e fundit të kësaj pjese, Skënderbeu fiton një 11-metërsh. Gjyqtari la Lushnjën me 10 lojtarë, pasi për miqtë u ndëshkua Vrapi me kartonin e kuq. Liqeri goditi saktë nga pika e bardhë dhe korçarët shkuan të qetë në pushim.

skenderbeu lushnja u17.

Në pjesën e dytë ishin sërish vendësit, të cilët shtuan edhe më shumë presionin, në një kohë që Lushnja vetëm mbrohej. Bregasi, dy minuta pas startit, shënon një supergol me roveshatë, ndërsa më pas vjen sërish radha e Liqerit me dy gola të tjerë. Goleadën e mbyll Demollari, i futur në fushë në pjesën e dytë. Miqtë ishin totalisht të shpërfytyruar.

LLAZI SARO

kategoria superiore u17 grupi a

kategoria superiore u17 grupi b

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"