Kategoria Superiore U-17, ndalen Vllaznia dhe Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2016 | 22:51

Kategoria Superiore U-17, ndalen Vllaznia dhe Flamurtari

Internacionali i merr pikë Shkëndijës

Internacionali ka befasuar Shkëndijën e Tiranës, duke i marrë një pikë pas barazimit 1-1. Skuadra e Elvis Plorit ka shënuar e para, por nuk ka mundur dot të fitojë takimin. Në shumë raste vendësit kanë shpërdoruar para portës. Që në minutën e 4-t, Internacionali kaloi në avantazh me anë të Haxhillarit pas një gjuajtjeje brenda zonës. Por, shumë shpejt Shkëndija e Luan Pinarit barazon shifrat. Në minutën e 33-të është Leci, i cili depërton bukur në zonë dhe realizon golin e barazimit.

Gjatë kësaj pjese loje u dallua Enea Rexhepi me pasimet e tij të saktë, ndërsa në fraksionin e dytë futja në lojë e Noel Demollarit ka gjallëruar sulmin e Internacionalit. Vendësit krijojnë epërsi në lojë, por Bozhanaj dhe Haxhillari humbasin raste të pastra për shënim. Shkëndija nuk ishte në një ditë të mirë, pavarësisht se e kërkoi golin e dytë. Gjithçka u mbyll 1-1, ndërsa ngushëllimi i vetëm i Shkëndijës është ndalesa e rivalit direkt për kreun, Vllaznia.

Abdulla Dushku

Internacional-Shkendija Tirane

Akademia bën surprizën

Vllaznia kryesuese e grupit A nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 në ndeshjen kundër Akademisë. Shkodranët e kanë marrë lehtë takimin dhe janë ndëshkuar që në minutën e 7- të, kur Xheka kaloi në avantazh Akademinë. Për të gjetur golin e barazimit, kuqeblutë vuajtën jo pak. Ishte Sekja që barazoi dhe në fund skuadrat ndanë nga një pikë.

Admir Uruçi

Vllaznia-Akademia 17

Partizani e kthen në goleadë me Olimpikun

Partizani shpërthen ndaj Olimpikut, duke shënuar pesë gola. Falë këtij suksesi, të besuarit e trajnerit Nikolin Çoçlli tashmë ngjiten në kuotën e 9 pikëve, duke lënë pozicionet e fundit të tabelës. Ka qenë Ardit Spahiu, ai që ka shënuar dy gola. Kjo dopietë është pasuar nga Bejzade, Ismaili dhe Karate, që kanë plotësuar fitoren e merituar të të kuqve. Që në minutën e 8-të, Spahiu ka depërtuar në zonë dhe ka goditur tokazi, duke kaluar në avantazh Partizanin.

Në fraksionin e dytë është përsëri Spahiu, i cili dyfishon shifrat dhe, më pas, Bejzade shënon golin e tretë. Ismaili dhe Karate fundosin Olimpikun, që rezistoi vetëm në pjesën e parë. Vendësit kanë pasur mundësi për të shënuar, por Shaba e Totraku kanë humbur dy raste. Kësisoj, të kuqtë nuk e kanë vendosur për asnjë moment në dyshim fitoren, duke u kthyer te rezultatet bindëse dhe pozicionuar në vendin e gjashtë. Gjithsesi, skuadra e Çoçllit është ende larg pretendimeve për vendet e para.

Olimpiku-Partizani

Abdulla Dushku

U-17 A

Barazojnë vlonjatët, bluve u anulohet gol

Flamurtari humbet një mundësi shumë të mirë për të vijuar serinë e fitoreve në kampionat, edhe pse pas barazimit 0-0 ndaj AF Dinamos vijon të mbajë vendin e parë në grupin B me 19 pikë dhe i shkëputur me 7 pikë nga ndjekësit. Në pjesën e parë, skuadra vlonjate ka luajtur mjaft mirë, ndërsa blutë e Ilir Spahiut janë mbrojtur me shumë forca dhe kanë dalë rrezikshëm përmes kundërsulmeve.

Vlonjatët hasën në rezistencën e miqve, që në fakt arritën ta dërgonin topin në rrjetë gjatë pjesës së parë, por gjyqtari Durmishi anuloi golin. Ishte një rast shumë i dyshimtë, kur Koxhaj fitoi një duel me mbrojtësit vendës dhe futi bukur të djathtën, duke mposhtur Maton. Gjithsesi, e cilësoi ndërhyrje të parregullt të Koxhajt këtë rast, të kontestuar jo pak nga pankina e AF Dinamos.

Ndërkohë, në pjesën e dytë, Flamurtari rrit forcën sulmuese, por lë hapësira në prapavijë. Muçi ka një rast të artë për të shënuar, por është portieri Mato që eviton golin.

Kastriot Brahimaj

Flamurtari

“Çmendet” Dinamo

Dinamo ka shpërthyer ndaj Lushnjës, duke realizuar 7 gola me autorë Marinajn, Shimën, Mashën dhe Osmanajn, i cili arriti të bëhej protagonist me një dopietë. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 4-0, ndërsa edhe në të dytën blutë u treguan të pamëshirshëm, duke realizuar 3 herë të tjera me Canin, Osmanaj dhe Qoshkun nga penalltia.

Abdulla Dushku

Dinamo

Elbasani thyen korçarët

Elbasani ka fituar minimalisht 1-0 ndaj Skënderbeut, me një gol të shënuar nga Teta në minutën e 53-të. Ka qenë një ndeshje e fortë dhe me rivalitet nga të dyja skuadrat, por në fund verdheblutë ia kanë dalë të marrin tri pikët. I aktivizuari si zëvendësues, Oljet Teta, ka realizuar një gol me mjaft vlera për paratërinjtë elbasanas.

Vladimir Mema

Elbasani

Kapllani nderon Teutën

Kapllani nderon Teutën dhe mund i vetëm Pogradecin. Skuadra durrsake nuk i ka lënë asnjë mundësi reagimi kundërshtarit në ndeshjen e djeshme. Tregolëshi i Kapllanit ka bërë diferencën ndaj një Pogradeci që u duk i brishtë në këtë ndeshje. Miqtë kërkuan golin e nderit, por nuk i arritën. Durrsakët e Kuçit ishin të vendosur mirë në fushë.

Jeton Rexhmati

Teuta

Besa fiton me përmbysje\

Besa u befasua që në minutën e parë nga Shkëndija e Durrësit. Miqtë shënuan me Hotin, që ktheu në gol një penallti. Pas vetëm dy minutash nga ky gola, është Selita që barazon shifrat. Më pas në minutën e 8-të Qarri përmbys gjithçka, ndërsa pa u mbyllur pjesa e parë, Gjongecaj trefishon shifrat për kavajasit, të cilët arritën një fitore të bukur.

Besa

Feriz Ferizaj

U-17 B

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"