Kategoria Superiore U-17 fillon me derbi, ja rezultatet e javës së parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2016 | 22:23

Kategoria Superiore U-17 fillon me derbi, ja rezultatet e javës së parë

Derbi pa fitues, humben 3 penallti

Kampionati i U-17 nisi me derbi, por 80 minutat e luajtura në kompleksin “Skënder Halili” përfunduan pa fitues. Tirana dhe Partizani ndanë nga një pikë në një ndeshje emocionuese deri në fund. Interesant ishte fakti se u shpërdoruan 3 penallti. Loja ka qenë e ekuilibruar, por më kërkues për golin ishin bardheblutë.

tirana partizani u17 1

Përveç dy golave të anuluar për pozicion jashtë loje, paratërinjtë e drejtuar nga Sulejman Mema humbën dy 11-metërsha. Edhe Partizani ka luajtur mirë, por më shumë ka menduar për mbrojtjen. Ashtu si bardheblutë, të kuqtë gabuan nga pika e bardhë në të vetmen mundësi që patën.

Ndeshja ka nisur mirë për Tiranën, por kapiteni Dragosha goditi mbi traversë nga pika e bardhë. Kjo pjesë loje mbizotërohet nga sulmuesit e Tiranës, të cilët kërkojnë golin. Në minutën e 30-të është Veriu që arrin të shënojë, por pozicioni i tij konsiderohet i parregullt. Në limitin e pjesës së parë Partizani reagon, por humbet rastin më pastër për shënim me anë të Petit.

0-0 mbyllet ky fraksion, ndërsa pas pushimit loja bëhet më e bukur, me rritëm nga të dyja skuadrat. Tirana tregohet më e saktë në fillim, duke shënuar me anë të mbrojtësit Çelhaka. Ky i fundit, pas një krosimi drejt zonës, e ka dërguar topin në rrjetë. Nga ky moment derbi ndizet, teksa të kuqtë hidhen në sulm.

tirana partizani u17

Në minutën e 71-të vjen një mundësi e artë për bardheblutë, por Ishka humbet një 11-metërsh, teksa goditja e të cilit përfundon mbi traversë. Të njëjtin shans ka dhe Partizani pas 3 minutash, por kapiteni Ismaili bllokohet nga portieri Mati. Megjithatë, të kuqtë arrijnë të rikuperojnë shumë shpejt këtë gabim dhe Grigor Çaçi arrin të barazojë, pas një depërtimi të bukur në zonë. Gjithçka mbyllet 1-1, me të kuqtë më të kënaqur, ndërsa te Tirana pati shumë dëshpërim prej penalltive të humbura.

ABDULLA DUSHKU

Pogradeci e nis me triumf

pogradeci skenderbeu u17

Pogradeci e ka nisur kampionatin me triumf në derbin ndaj Skënderbeut. Paratërinjtë e drejtuar nga Julian Gjata i janë falur golit të Terollit në minutën e 6-të. Mesfushori goditi nga 25 metra dhe mposhti portierin korçar. Skënderbeu u mundua të barazonte, por ishte merita e Totollakut, që nuk lejoi prekjen e rrjetës pas disa rasteve flagrante.

PËLLUMB STAROVA

Elbasani bind në Lushnjë

lushnja elbasani u17

Elbasani mundi 1-0 Lushnjën në “Roza Haxhiu”, duke e nisur kampionatin me tri pikë në transfertë. Sulmuesi Rrasa shënoi golin e vetëm në mesin e pjesës së dytë, pas një kundërsulmi të shpejtë me një goditje që mposhti Gogën. Në pjesën e parë, Rrasa e Sadiku të Elbasanit dhe Çukani i Lushnjës goditën shtyllat. Gjithçka u mbyll me shifrat 0-1.

ALBAN ALUSHI

Goleadë e Shkëndijës

shkendija e durresit af dinamo u17

Shkëndija e Durrësit ka shkatërruar AF Dinamon në ndeshjen e parë me shifrat 5-2. Ndeshja ka qenë shumë e luftuar dhe u deshën 30 minuta që rezultati të zhbllokohej. Bakalli, Hoxha, Berisha dhe Gecaj dy herë u bënë protagonistë për ekipin e shkollës së Mjeshtërisë Sportive të Durrësit, ndërsa për blutë arriti të shënonte dy herë Balla.

JETON REXHMATI

Flamurtari super, tripletë që në start

flamurtari besa u17

Flamurtari bën tripletë që në start. Skuadra e drejtuar nga Sherif Idrizaj e ka nisur me këmbë të mbarë sezonin e ri futbollistik, teksa ka mposhtur Besën me rezultatin 3-1. 17-vjeçarët vlonjatë kanë ushtruar presion të vazhdueshëm që në fillim të takimit, duke gjetur golin e parë në minutën e 12- të me anë të Aliajt. Ky i fundit goditi bukur brenda zonës dhe kaloi në avantazh Flamurtarin. Kundërpërgjigjja e kavajasve do të vinte në minutën e 27-të, ku Gjongecaj do të barazonte përkohësisht takimin.

Megjithatë, vlonjatët janë rikthyer në avantazh 8 minuta më vonë. Ishte Merkaj, që pasi iu vodh bukur mbrojtësve të Besës, shënoi golin e dytë. Pjesa e parë mbyllet 2-1. Në fraksionin e dytë nuk ka shumë histori, pasi vendësit kontrollojnë lojën dhe arrijnë të trefishojnë rezultatin në minutën e 65-të. Këtë herë protagonist bëhet Aliaj, i cili vulos fitoren e merituar të Flamurtarit. Në javën e ardhshme vlonjatët do të luajnë me Elbasanin.

KASTRIOT BRAHIMAJ

Porto-Internacional e bllokon… helikopteri

Çudira shqiptare në Shënkoll. Takimi i vlefshëm për Grupin A të kampionatit U-17, Porto-Internacional, nuk u zhvillua, pasi fusha mbeti e zënë nga një helikopter që ishte stacionuar aty. Një ngjarje e pazakontë, teksa helikopteri ishte vënë në dispozicion të një ceremonie martesore, ku çifti po celebrohej në Kishën e Shënkollit.

porto internacional u17 e nderpret helikopteri

Shou ishte i bukur për dasmorët, por për lojtarët e të dyja skuadrave dhe stafet teknike, përfshirë edhe zyrtarët e ndeshjes, pritja u kthye në acarim. Ceremonia u vonua shumë dhe kjo bëri që ekipi privat nga Tirana, Internacional, të largohej. Pas 45 minutave pritje, edhe gjyqtari i ndeshjes, Arlind Pirani, humbi durimin dhe lajmëroi skuadrën vendëse, Porto, që ndeshja nuk mund të zhvillohej.

Një histori sa qesharake, por aq edhe absurde. Së pari, fusha ku luan skuadra e Kategorisë së Parë, Shënkolli, nuk u përdor për një ndeshje moshash, por në të duhet të qëndronte një helikopter për dy orë që veçse e dëmton tapetin. Një mungesë e theksuar serioziteti, ndërsa tashmë për fatin e ndeshjes do të vendosë Komisioni i Disiplinës.

PRENG GJIKOLA

kategoria superiore u17 grupi a

kategoria superiore u17 grupi b

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"