Kastrioti i krijon “trauma” Elbasanit! Pas barazimit në kampionat, i heq edhe dy titullarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2023 | 9:30

Kastrioti i krijon “trauma” Elbasanit! Pas barazimit në kampionat, i heq edhe dy titullarë

Barazimi ndaj Kastriotit konsiderohet thjesht si një aksident në kampin elbasanas. Bëhet fjalë për një ndeshje që e dominuan në të gjitha aspektet dhe mbi të gjitha rezultati ishte maksimal. Për aq kohë sa skuadra prodhoi lojë dhe raste, në klub janë të qetë për ecurinë. E thënë troç, verdheblutë e kanë lënë menjëherë pas krahëve këtë barazim dhe janë përqendruar te java e dytë.

elbasani kastrioti

ANALIZA – Nevil Dede e ka lënë dje pushim skuadrën dhe vetëm sot do të rikthehen në fushë, ku pritet edhe një analizë për 90-minutëshin e prodhuar në Fushë-Krujë. Fakti që skuadra në fund nuk mori dot tri pikët përballë një kundërshtari më modest në letër, ka nevojë për të nxjerrë mësimet dhe parë se ku çaloi që nuk mori dot maksimumin. Për këtë arsye, gjasat janë që të zhvillohet një analizë e stafit me skuadrën, për të zbuluar defektet.

PROBLEMET – Përpos dy pikëve të lëna, në kampin verdheblu “qajnë” më shumë dëmtimet dhe dënimet që erdhën si pasojë e ndeshjes me krutanët. Thuhet kështu, pasi ndeshja e radhës është ndaj një kundërshtari direkt si Vora dhe trajneri nuk do të ketë të gatshëm dy prej lojtarëve kryesorë. I pari është mesfushori Edon Hasani, i cili doli me të kuqe në ndeshjen me Kastriotin, duke qenë një mungesë e sigurt. I dyti është sulmuesi Spartak Ajazi, që la lojën në mes pas një përplasjeje me portierin kundërshtar.

Bëhet fjalë për një dëmtim në shpatull, që mund ta lërë jashtë fushës për disa ditë apo edhe javë, duke bërë që të humbasë së paku sfidën me vorakët. Me pak fjalë, një ndeshje që nuk shkoi ashtu si duhet, jo vetëm në aspektin e pikëve të lëna, por edhe në dëmtimin e organikës për vazhdimësinë. Gjithsesi, elbasanasit kanë kontingjent në skuadër që të përballojnë edhe mungesa të kësaj natyre, për vetë faktin se kanë afruar shumë lojtarë gjatë kësaj merkatoje.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"