Kastrati “Lojtar i Vitit”, Etriti dhe Tomasi në… hall/ Ja situata me portierët e Kombëtares

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2023 | 22:25

Kastrati “Lojtar i Vitit”, Etriti dhe Tomasi në… hall/ Ja situata me portierët e Kombëtares

Elhan Kastrati është zgjedhur lojtari më i mirë i vitit te Çitadela. Ashtu si çdo vit, në fund të kampionatit, tifozët e klubit votojnë për të zgjedhur futbollistin që do të fitojë çmimin “Lojtari i Vitit”. Këtë edicion e ka fituar Elhan Kastrati, të cilit i është dhuruar një pjatë e argjendtë, në një ceremoni të zhvilluar në Bashki.

KASTRATI

Ky çmim i jepet portierit të Kombëtares për aftësi teknike, temperamentin, impenjimin që ka dhënë këtë sezon, duke qenë një nga protagonistët kryesorë të ekipit, sidomos në pjesën e dytë të kampionatit, kur Çitadela diskutonte mbijetesën në Serinë B, gjë që ia doli ta siguronte vetëm në javën e fundit. Sa i përket portierit të lindur në Has, ka luajtur në 37 takime dhe ka mbajtur 11 herë portën e paprekur, por gjithashtu ka dalluar me pritjet e tij, të cilat në shumicën e rasteve kanë qenë vendimtare, duke i dhënë 26-vjeçarit disa herë çmimin “Lojtari i Ndeshjes”.

Sa i përket të ardhmes, Çitadela e ka blinduar portierin, duke nënshkruar me të një kontratë që e mban të lidhur deri në vitin 2026. Paraqitjet e mira, i kanë shërbyer portierit edhe në ekipin kombëtar, ku ai ka ruajtur vazhdimësinë dhe duke u grumbulluar që prej vitit të kaluar, edhe pse ka luajtur vetëm në dy ndeshje miqësore, ndaj Estonisë dhe Arabisë.

BERISHA- Etrit Berisha do të largohet nga Torino në fund të këtij sezoni. Pavarësisht se kontrata e tij skadon verën e ardhshme, mediat italiane raportojnë se Torino nuk ka në plan ta mbajë futbollistin për sezonin tjetër dhe do të largohet.

maxresdefault

Problemi i vetëm i gardianit shqiptar është mungesa e ofertave, duke qenë se nuk bëhet e ditur të ketë mbërritur ndonjë interesim për të. Zgjidhja e vetme për të mos mbetur pa luajtur në sezonin e ardhshëm, sipas mediave italiane është largimi nga Italia dhe me shumë gjasa pritet të ndodhë diçka e tillë.

Prej kohësh, Berisha nuk grumbullohet me ekipin e Torinos dhe nuk bën pjesë në listën e skuadrës për ndeshjet e kampionatit. Tashmë, zgjidhja e vetme është gjetja e një aventure të re. Më parë, Berisha ishte pjesë e skuadrave si Lacio, Atalanta e SPAL në Serinë A.

STRAKOSHA

Tomas Strakosha nuk e ka të sigurt qëndrimin te Brentfordi. Zhvillimet e fundit në klubin e Premier Ligës bëjnë që portieri i Kombëtares të shohë një tjetër alternativë, pasi në klub mbërriti gardiani i Frajburgut Mark Fleken, i cili u ble për 13 milionë euro.

Strakoshaaa

Holandezi pritet që të zëvendësojë David Rajën, numrin një të portës, i cili do të shitet në merkato. Kështu që vendi i Strakoshës është i diskutueshëm, pasi Fleken vjen nga një formë e mirë, pasi mbajti portën të paprekur në Bundesligë, plot 13 herë në 34 ndeshje, më shumë se çdo portier tjetër. Ndërkohë shqiptari ka pasur një sezon jo të mirë, me minutazh të pakët, (vetëm dy ndeshje) dhe të shoqëruar nga dëmtimet, më i rëndi në kyçin e këmbës.

KRISTI SEJATLLARI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"