KARATE/ Nënkampione Europe me Italinë, Mikela Skandaj ëndërron Shqipërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2024 | 19:30

KARATE/ Nënkampione Europe me Italinë, Mikela Skandaj ëndërron Shqipërinë

Shpeshherë kemi dëgjuar të flitet për sportistët e talentuar shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, ndërsa një prej tyre është edhe Mikela Skandaj. 14-vjeçarja, e cila jeton në Verona të Italisë është një yll i vërtetë në sportin e karatesë dhe këtë e konfirmojnë më së miri rezultatet e saj.

Mikela Skandaj

Ndonëse në një moshë krejt të re, Mikela regjistron shumë medalje të rëndësishme ndërkombëtare, ku spikasin tri medalje në Kampionatin Europian për të reja, një e argjendtë e fituar vetëm pak kohë më parë në Francë, si edhe dy medalje të bronzta. Mikela Skandaj këto rezultate i ka arritur duke përfaqësuar Italinë, por sportistja e talentuar me origjinë nga Lezha, ka theksuar gjithnjë, se ëndrra e saj mbetet të garojë për flamurin e Shqipërisë, edhe pse deri më tani nuk ka patur një përgjigje nga strukturat përkatëse në vendin tonë.

Mikela Skandaj

Për talentin e jashtëzakonshëm të Mikelës ka folur edhe trajneri i saj, Mauricio Brigenti, i cili e ka përshkruar kështu sportisten shqiptare: “Mikela ka treguar mjeshtëri në disiplinën kata, me aftësitë e saja në lëvizjet komplekse, me elegancë dhe precizion të lartë. Në medaljen e argjendit që fitoi në Europianin e Francës, në disiplinën kumite individuale, Mikela tregoi teknikë të shkëlqyer, duke triumfuar ndaj rivaleve më eksperte, falë shpejtësisë, potencës dhe precizionit të saj”, shprehet trajneri Brigenti.

Mikela Skandaj

Tashmë, topi është në anën e institucioneve shqiptare, në mënyrë që magjitë e Mikela Skandajt t’i shijojmë nën ngjyrat e flamurit kuqezi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"