Karabeci është gati, Tiranës i bashkohet një talent nga Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2017 | 10:52

Karabeci është gati, Tiranës i bashkohet një talent nga Skënderbeu

Tirana gjen qetësinë para Pogradecit. Erando Karabeci është kthyer në stërvitje dje, duke konfirmuar gatishmërinë për transfertën e parë sezonale. Kapiteni luajti me Ilirinë i sëmurë (për shkak të shqetësimeve që kishte me bajamet), megjithatë prej të dielës nisi që të merrte antibiotikë. Ky fakt e kushtëzoi që të mos stërvitej të hënën dhe të martën, megjithatë, duke qenë se kura mbaroi, të mërkurën u vendos nën urdhrat e Ze Marias.

tirana

DËMTIMET

Sakaq, “frikë” ka për Ilion Likën. Portieri u stërvit normalisht dje, por deri në njëfarë pike. Kur nisi loja brenda grupit, ai nuk u përfshi. Gardiani ka marrë një goditje të lehtë dhe është këshilluar nga stafi mjekësor dhe ai teknik që të mos marrë ngarkesë, ndaj edhe mbeti jashtë.

kerciku

Probleme shfaqi edhe Dorian Kërçiku, por për të nuk ka vend për panik. Mbrojtësi i linjës së djathtë, në 5-minutëshin e fundit të stërvitjes, mori një bërryl dhe ndaj doli nga fusha për të marrë mjekimin e duhur. Gjasat janë që asnjëri prej tyre të mos rrezikojë, megjithatë më konkretisht gjendja e futbollistëve do të verifikohet sot, nëse do të jenë apo jo në dispozicion për ndeshjen në Pogradec.

Në të tilla kushte, edhe formacioni mbetet një “rebus”, ndërsa duhet thënë që dje trajneri brazilian e shkartisi ekipin, duke mos krijuar asnjë ide të qartë për 11-shen që do të zbresë në fushë këtë të diel. Me interes mbetet çështja “Doka”. A do të jetë apo jo lojtari i linjës së djathtë titullar këtë javë, ky vendim do të merret nga vetë Ze Maria.

Doka Tirana

Ky i fundit e bëri shembull në startin e sezonit dhe e la në tribunë, duke e argumentuar vendimin e tij me faktin që 20- vjeçari nuk u angazhua maksimalisht në seancat stërvitore. Ndërkaq, sot ekipi ka menduar që të zhvillojë një test me ekipin B, ndeshje që do t’i shërbejë stafit teknik për të “fiksuar” 11-shin tip.

MERKATO

Edhe pse tregu i shit-blerjeve është mbyllur që më 14 shtator, Tirana ka ende mundësi që të afrojë lojtarë. Dhe zgjidhjen e gjen pikërisht te Tirana B (e cila militon në Kategorinë B), aty ku mund të regjistrojë të tjerë. Pas Ardit Mocovillës, dje ka ardhur edhe një 20-vjeçar. Bëhet fjalë për Johan Beckën, i cili ka qenë pjesë e akademisë së Skënderbeut. Mesfushori ka nisur dje stërvitjen me ekipin e parë dhe pritet që klubi ta federojë te Tirana B, skuadër që drejtohet prej Krenar Alimehmetit.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"