Kapiteni i Vllaznisë/ Balaj: Trajneri na ka sjellë qetësi, jemi brenda objektivit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2024 | 8:40

Kapiteni i Vllaznisë/ Balaj: Trajneri na ka sjellë qetësi, jemi brenda objektivit

 

Bekim Balaj mendon se Vllaznia është në rrugë të mbarë dhe sipas tij, synimi i klubit për këtë sezon është i arritshëm. Duke folur për televizionin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, “Open TV”, kapiteni i shkodranëve theksoi se skuadrës i duhen afrime cilësorë për të pasur garanci për vazhdimësinë.

bekim balaj

“Ndaj Kukësit ishte një fitore shumë e rëndësishme, sepse e nisëm kampionatin aty ku e lamë në vitin 2023. Jemi në një moment të mirë, pasi kemi bërë katër fitore radhazi, por nuk duhet të harrojmë që jemi vetëm në gjysmën e sezonit. Një fillim i mbarë është si gjysma e punës dhe na kënaq kjo ecuri që kemi pasur në muajt e fundit. Fitoret që kemi bërë na kanë distancuar disi me ekipet që kemi pasur poshtë, duke na dhënë qetësi. Me formulën që është këtë vit kampionat, deri diku jemi në një pozitë të favorshme.

Jemi në katërshen e parë, duke qenë brenda objektivit të klubit për këtë sezon”, ka thënë fillimisht sulmuesi shkodran, i cili është në krye të listës së golashënuesve të Superiores me 10 gola deri më tani. Ai vlerësoi shumë punën e trajnerit tetovar, Osmani. “Me ardhjen e profesor Osmanit, për fat u rikthyen edhe rezultatet pozitive në skuadër. Me eksperiencën e tij, ka sjellë qetësi në skuadër. Ka bërë lidhjen e duhur me skuadrën dhe lojtarët, për t’i dhënë qetësinë e nevojshme dhe marrë maksimumin këtij grupi”, theksoi 33-vjeçari.

MERKATO – Sulmuesi foli edhe për përforcimin e mundshëm të skuadrës në merkaton e janarit. “Në këtë periudhë është edhe merkato, kështu që ndonjë afrim cilësor te Vllaznia është mëse i mirëpritur. Do të na ndihmonin shumë, duke pasur parasysh edhe luhatjet që patëm apo largimet e disa lojtarëve që në fillim të sezonit, të cilët ishin shumë të rëndësishëm.

Në ekip u afruan edhe të tjerë, por që ndoshta nuk e gjetën veten dhe disa prej tyre kanë ikur. Kemi pësuar shumë ndryshime, kështu që ndonjë elementë cilësorë në merkato do të na shërbenin shumë për arritjen e objektivave”, përfundoi Balaj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"