Kamza në amulli, duhet një ‘mrekulli’ për shpëtimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2012 | 13:50

Kamza në amulli, duhet një ‘mrekulli’ për shpëtimin

Gjendja në klubin e Kamzës është mjaft e nderë, pasi ende nuk ka ndonjë kompromis midis drejtuesve të ekipit. Naim Qarri dhe Xhelal Mziu nuk janë ulur ende në tavolinën e bisedimeve. Edhe një mundësi që ishte para disa ditëve, pas negocimeve të dy bashkiakëve, nuk ka mundësuar ndonjë marrëveshje konkrete. Koha po kalon dhe Kamzës i mbeten vetëm dy ditë për të vendosur përfundimisht fatin e saj për këtë sezon. Ose do të arrihet akordi ndërmjet krerëve të klubit, ose pas së mërkurës Kamza do të përjashtohet nga të gjitha aktivitetet e këtij viti. Përveç kësaj, Kamzës i duhet që vitin e ardhshëm ta rinisë nga Kategoria e Dytë. Dhe e gjithë kjo si pasojë e kokave të nxehta të krerëve kamzalinj.
Situata Bashkia nga ana e saj ka dhënë ultimatumin: ose Qarri të blejë edhe 49% të aksioneve e ta drejtojë ai i vetëm klubin e futbollit, ose ky të dorëzojë 51% të aksioneve të veta, për t’ia blerë bashkia dhe kjo e fundit të jetë zotëruese 100% e klubit. Kjo nuk pranohet nga Qarri, pasi ai ka investuar 6 vite me radhë në këtë klub dhe ka deklaruar hapur se nuk mund të lejojë t’i zotërojë tjetërkush aksionet e tij. Këto janë investime personale dhe presidenti nuk dëshiron të largohet në këtë mënyrë nga klubi. Ndërkaq sot, në orën 11:00, pritet të zhvillohet për herë të fundit takimi mes palëve në FSHF, ku do të vendoset përfundimisht për të ardhmen e Kamzës. Nëse nuk do ketë ndonjë zgjidhje konkrete për të ardhmen e këtij klubi, atëherë FSHF-ja pritet të japë verdiktin e përjashtimit për një vit të ekipit të Kamzës dhe vitin e ardhshëm kjo skuadër do ta nisë nga Kategoria e Dytë. Në rast mosakordit me bashkinë, Qarri ka kërkuar ndihmën e tifozerisë për të protestuar kundër shkatërrimit të këtij klubi.
Skuadra Aktualisht është ndërtuar vetëm një skuadër nga ana e Qarrit. Ky i fundit ka afruar në krye të stolit Sajmir Malkon, në një kohë që rreth 30 futbollistë zhvillojnë çdo ditë stërvitje në kompleksin e ekipeve kombëtare në Kamzë. Megjithatë, kjo skuadër nuk është njohur nga ana e bashkisë.

“Bashkia po bën ‘show’, nuk lejoj shkatërrimin e klubit”
Në lidhje me situatën që është krijuar në klubin e Kamzës, presidenti Naim Qarri shprehet: “Deri tani ende nuk ka ndonjë përgjigje nga ana e kryebashkiakut Xhelal Mziu. Unë gjithnjë kam qenë i hapur për bashkëpunim me të. Edhe pasi negociatorët bashkiakë parashtruan kërkesat e kryebashkiakut, që në vetvete përbënin dorëzimin pa kushte të klubit të Kamzës, nuk ka asnjë zgjidhje. Kjo është absurde për një njeri që hedh miliona nga xhepi i tij. Ende nuk ka ndonjë përgjigje nga ky i fundit, sikur edhe për një takim mes nesh. Nga ana e tyre, më tepër ka qenë një “show” se gjoja negociata, dhe aspak një nismë serioze për të ardhmen e këtij klubi. Unë përfundimisht nuk do të lejoj që klubi i Kamzës të shkatërrohet për tekat e një kryebashkiaku. Për këtë, do të kërkoj ndihmën e qytetarëve të Kamzës, që të vihen në mbrojtje të klubit të futbollit për të mos e humbur shansin që do t’i kushtojë shumë rëndë këtij klubi. U bëj thirrje gjithë tifozëve dhe dashamirësve të këtij klubi, si dhe gjithë qytetarëve të Kamzës, për të kundërshtuar me forcë atë që po ndodh me skuadrën”, përfundon Qarri.
ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"