Kampionati “prishet” prej borxheve, Kategoria e Parë luhet e copëzuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2016 | 19:08

Kampionati “prishet” prej borxheve, Kategoria e Parë luhet e copëzuar

FSHF, ultimatum ekipeve që kanë detyrime

Gjashtë ndeshje nuk janë zhvilluar për kampionatin U-17 dhe U-19 të Kategorisë së Parë, edhe pse dje skuadrat duhet të zbrisnin në fushë. Më konkretisht, çiftet për të dyja grupmoshat janë këto Burreli-Veleçiku, Kastrioti-Akademia AAS dhe Bylis-Apolonia.

Burime të “Panorama Sport” në FSHF kanë konfirmuar dje për gazetën se ekipet e Burrelit, Kastriotit dhe Bylisit nuk kanë paguar detyrimet që u takojnë. Në fakt, institucioni i futbollit u ka bërë apel disa javë më parë skuadrave që të paguajnë këto detyrime, pasi në të kundërt nuk do të luajnë. Shembull u bë Bylis U-17 dhe U-19, të cilit iu zbritën tri pikë nga klasifikimi. Gjithashtu, edhe ekipet e tjera që nuk kanë paguar detyrimet, dje janë urdhëruar të mos zbresin në fushë.

Në këto kushte, tashmë pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës dhe skuadrat rrezikojnë të përjashtohen nga gara. Edhe pse jemi ende në javën e 7-të, problematika që shoqëron këtë kampionat është e dukshme, teksa ndeshjet po bëhen të cunguara, me skuadra që kanë paguar dhe pushojnë.

U-17

Iliria befason skuadrën lezhjane

Iliria e drejtuar nga trajneri Dashamir Çangu ka arritur një fitore bindëse në shtëpi ndaj Besëlidhjes me shifrat 4-2. Ky triumf e ngjit ekipin fushëkrujas në vendin e katërt. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Redi Maloku” ka qenë shumë e bukur, me raste nga të dyja skuadrat. Megjithatë, në pjesën e parë Iliria ka bërë diferencën me dy gola të Selmanit. Pavarësisht përpjekjeve të Besëlidhjes për të shkurtuar diferencën, 40 minutat e para janë mbyllur me shifrat 2-0.

Në pjesën e dytë miqtë ishin më kërkues dhe arritën të shënonin, por Iliria nuk i dha asnjë shans Besëlidhjes për të shkuar te barazimi. Kadiu dhe Ziri kanë shënuar nga një gol secili, duke e mbyllur takimin me fitoren e Ilirisë. Javën e ardhshme fushëkrujasit luajnë ndaj Shkëndijës B., një kundërshtari edhe më të fortë se lezhjanët.

Sh.Hasani

K.I. U-17 A

Goleadë e Luftëtarit

Luftëtari i Andrea Çullit nuk di të ndalet, teksa dje mposhti thellësisht Fierin me shifrat 6-1, duke vijuar kryesimin në grupin B. Sulmuesi Ziaji ka shkëlqyer, duke shënuar tre gola, ndërsa Kotoni, Braho dhe Cama kanë vendosur gjithashtu firmën e tyre në triumfin e thellë. Për fierakët shënoi golin e nderit Muçaj në minutën e 42-të.

Tomor Shehu

L-F

Spektakël i Vlorës

Vlora ka fituar thellësisht ndaj Tomorit me rezultatin 4- 1. Skuadra e drejtuar nga Latif Gjondeda nuk e ka vënë në diskutim triumfin për asnjë moment. I pari që do t’i kalojë në avantazh vendësit është Limo, i cili tregohet i saktë nga pika e bardhë. Pjesa e parë mbyllet 1-0. Në 40 minutat e dyta Mezini, Mehmeti dhe Mishgjonaj plotësuan triumfin.

Kastriot Brahimaj

V-B

Pepa, mjafton një gol

Ekipi privat i Pepës vijon ecurinë pozitive, duke hedhur kandidaturën për ngjitjen në Superioren U- 17. Dje Pepa ka mundur minimalisht Butrintin në shifrat 1-0. Ka qenë një gol i Bakallit në pjesën e dytë ai që i ka dhënë tri pikët klubit privat nga Elbasani. Në përgjithësi, loja ka qenë e mirë nga të dy ekipet, por me vendësit më kërkues.

P-B

Vladimir Mema

K.I. U-17 B

Kamza, gol që nga tuneli ndaj lezhjanëve

Kamza ka thyer Besëlidhjen, duke i dhënë një leksion futbolli. Skuadra e Fatmir Tares e ka zgjidhur gjithçka që në pjesën e parë, teksa ka shënuar 3 gola. Që me shkelmimin e topit të parë nga qendra, kapiteni Rigers Guri ka pasuar saktë tek Ardi Guri dhe ky i fundit me një gjuajtje mjaft të bukur ka shënuar golin e parë në harkun e 25 sekondave lojë. Më pas, skuadra e Kamzës shënon dhe dy gola të tjerë me anë të Arnold Cenajt në minutën e 25-të dhe Rigers Gurit në të 30-tën, duke shkuar në pushim 3-0.

Në fraksionin e dytë është talenti kamzali, Mariglen Ademi, i cili shënon dhe golin e katërt duke u afirmuar si golashënues. Ky ishte goli i 6-të gjatë këtij sezoni për Ademin. Në këtë takim lezhjanët shfaqën dobësi, duke mos i bërë aspak rezistencë Kamzës. Skuadra e Tares pozicionohet aktualisht në vendin e katërt.

Abdulla Dushku

K-B

Shpërthen Olimpiku

Olimpiku ka shpërthyer në ndeshjen ndaj Korabit, duke fituar 5-2, pas një loje mjaft të bukur, ku dallohet Hamdi Picari, që shënoi dy herë. Në pjesën e dytë ishte Klejdi Koçi që trefishon, por më pas kundërpërgjigjen dibranët me anë të Locës, që realizon dy herë. Megjithatë, Vata dhe Hoxha në limit, plotësojnë fitoren e Olimpikut.

O-K

Abdulla Dushku

K.I. U-19 A

Tomori shkëlqen, 3 të kuq për vlonjatët

Tomori ka arritur një fitore bindëse në Vlorë, me shifrat 1-4. Vendësit kanë qenë në një ditë të keqe, duke e gjetur veten në disavantazh që në minutën e 6-të, ku Hyseni do të realizonte për beratasit. Më pas, është përsëri Hyseni që e dyfishon rezultatin në minutën e 26-të.

Tomori shkon i qetë në pushim dhe më pas administron më së miri takimin. Në minutat 55 dhe 59, është Kërkuta që do të realizonte një dopietë. Loja nuk ka më histori, edhe pse Zano për Vlorën në minutën e 70-të arrin të shënojë golin e nderit.

Ka qenë një ndeshje e tensionuar, me vlonjatët që kanë marrë 3 kartonë të kuq. Zano, Xhakaj dhe I.Arapaj kundërshtuan vendimet e gjyqtarit dhe kjo bëri që Vlora ta mbyllte me 8 lojtarë. Pas kësaj fitoreje, Tomori ka shkuar në kuotën e 11 pikëve, tre më pak se Luftëtari kryesues.

Kastriot Brahimaj

V-T

Pepa nuk fal në shtëpi

Të rinjtë e ekipit privat, Pepa, shënuan tri herë në portën e Butrintit për të marrë triumfin. Terolli shënoi një dopietë në këtë përballje, ndërsa për të hipotekuar fitoren mendoi Sallaku. Nga ana tjetër, ekipi mik shënoi një gol që vleu sa për statistikë me anë të Dhrosos. Në përgjithësi loja ishte e mirë, me epërsi të Pepës.

P-B U-19

Vladimir Mema

K.I. U-19 B

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"