“Kam dy javë që bind lojtarët”, Bizhdili “snobon” borxhet: Ndërtoj Besën më të fortë në 6 vite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2021 | 21:26

“Kam dy javë që bind lojtarët”, Bizhdili “snobon” borxhet: Ndërtoj Besën më të fortë në 6 vite

Prisni deri të hënën dhe do të mësoni emrat që do t’i bashkëngjiten Besës për sezonin e ri”. Kështu ka thënë Nexhat Bizhdili, që duket se është shumë pranë finalizimit të afrimeve të premtuara. I pyetur nga “Panorama Sport”, presidenti siguron se duke nisur nga fillmjava do të bëjë publikë emrat që janë shumë pranë firmës së kontratës me kavajasit.

Bizhdili

Ai ka në plan që të shtojë eksperiencën në organikë, ndaj po tenton të marrë 5 futbollistë të cilët kanë luajtur në Kategorinë Superiore. Do tentohet me çdo kusht ngjitja në elitë, ndaj kreu i klubit po merr masat që tani. Gara do të jetë edhe më e ashpër nga vjet. Me ndryshimin e formulës, edhe verdhezinjtë duhet t’i bëjnë ndryshe llogaritë dhe këtë kreu i klubit e ka më shumë se të qartë.

“Gjatë këtyre 2 javëve kam udhëtuar shumë. Më është dashur që të lëviz në disa qytete, për të kontaktuar dhe bindur disa futbollistë cilësorë për të veshur fanellën tonë. Nuk ka qenë e lehtë, pasi kanë pasur edhe ata një kusht. E vetmja gjë që kanë kërkuar, ka qenë: të luajnë në Kavajë. Më kanë siguruar se e pranojnë ofertën dhe do të luftojnë fort për ta rikthyer Besën në Kategorinë Superiore.

Thuajse të gjithë lojtarët e kontaktuar kanë luajtur si kundërshtarë me Besën kur kavajasit garonin në elitë. E njohin dhe e çmojnë shumë këtë fanellë. Dua të them se nuk kam pasur asnjë minutë kohë të merrem me probleme të tjera, por ju garantoj se do të ndërtoj Besën më të fortë të gjashtë viteve të fundit.

Prisni deri të hënën kur edhe startojmë zyrtarisht merkaton”, ka përfunduar Bizhdili, që nuk ka preferuar t’i përgjigjet pyetjes për borxhet që Besa i ka ish-trajnerit Gugash Magani dhe zëvendësit të tij, Klodian Dervishi. Detyrimi shkon në 1.5 milionë lekë të vjetër dhe duhet shlyer brenda 30 ditëve, ka qenë ky ultimatumi i prerë i Komisionit të Disiplinës. Për të mos rrezikuar penalitete të tjera, klubi duhet ta mbyllë sa më parë.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"