“Kam dilema, por besoj shumë te titullarët që do të përzgjedh”, Apolonia, Kanarsa pret ngjitjen e shpejtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2021 | 9:30

“Kam dilema, por besoj shumë te titullarët që do të përzgjedh”, Apolonia, Kanarsa pret ngjitjen e shpejtë

Apolonia po i jep dorën e fundit përgatitjeve anti-Besëlidhje, ndeshje që e luan të dielën në “Loni Papuçiu”. Gabimet janë të ndaluara dhe sidomos tani që kampionati po bëhet gjithnjë e më i ashpër. Trajneri Juri Kanarsa pret vetëm fitoren në këtë javë, ndonëse e cilëson të vështirë përballjen me lezhjanët. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” para ndeshjes me Besëlidhjen, ai rrëfen se nuk është i kënaqur me pozicionin në renditje dhe se ka disa dilema për formacionin e mundshëm për këtë sfidë delikate.

Juriy KANARSA

Arritët të fitonit dy ndeshje radhazi në kampionat, sa ju kanë ndihmuar këto fitore në atmosferën e grupit që drejtoni?

Ne kemi marrë pikët e plota me Butrintin dhe Besën në javët e fundit, dhe sigurisht që këto fitore sjellin një frymë tjetër, pozitive, në grupin tonë. Pozicioni që mban Apolonia në renditje nuk është ai i dëshiruari, mirëpo ne do të bëjmë më mirë në ndeshjet e ardhshme duke nisur që nga përballja e radhës me Besëlidhjen.

Jeni i kënaqur me angazhimin e lojtarëve gjatë këtyre ditëve, duke ditur që në javën e tetë të kampionatit ju përballeni me Besëlidhjen?

Lojtarët e mi janë përgatitur çdo ditë dhe në çdo seancë stërvitore kanë dhënë maksimumin e tyre. Sigurisht që pres më shumë nga ata, sepse i kemi mundësitë të ngjitemi aty ku dëshirojmë të gjithë. Nga përgatitjet dhe puna e kësaj jave pres vetëm marrjen e pikëve të plota në shtëpi, sepse kemi punuar me seriozitet.

Çfarë prisni nga lojtarët në këtë ndeshje?

Më së shumti pres vazhdimësinë e rezultateve pozitive sepse kemi disa muaj që punojmë me njëri-tjetrin. Pikërisht tani është momenti që të jemi të gjithë me këmbë me tokë, pas atyre fitoreve, dhe të e dielën të jemi të përqendruar maksimalisht në fushën e blertë.

A do të ketë ndryshime në formacion?

Kam dilema për formacionin dhe nuk kam vendosur përfundimisht për lojtarët titullarë. Në stërvitjen e fundit kam mbajtur disa shënime për lojtarë të caktuar dhe kam besim të plotë te titullarët që do të përzgjedh.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"