Kalari tregon rikthimin: Në Krujë, si në shtëpinë time

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2013 | 13:05

Kalari tregon rikthimin: Në Krujë, si në shtëpinë time

Ahmataj-midis-Kalarit-dhe-Turdiut“Rikthehem në Krujë te Kastrioti pasi këtu ndihem si në shtëpinë time”. Kështu e ka nisur prononcimin e tij për “Panorama Sport” Renaldo Kalari, i cili dje ka zhvilluar seancën e parë stërvitore me skuadrën e tij të re. Në fakt, për Kalarin nuk është e tillë, duke qenë se ai ka zhvilluar një pjesë të karrierës së tij në këtë ekip. “Më është dukur sikur gjithmonë kam qenë te Kastrioti. Kështu, në seancën e djeshme stërvitore nuk jam ndier si i ri, për vetë faktin se është një ambient që e njoh, duke filluar që nga trajnerët apo lojtarët. Unë kam qenë gjithmonë në kontakt me njerëzit e klubit, por edhe me tifozërinë në Krujë. Kështu që, për këtë arsye, për mua ishte shumë i natyrshëm rikthimi në gjirin e kësaj skuadre”. Kalari do të jetë në dispozicion të trajnerit Ndreu duke filluar nga ndeshja e nesërme për kupë në Korçë, meqenëse të gjitha procedurat e tij të regjistrimit në FSHF kanë përfunduar. Lojtari do të jetë në huazim te Kastrioti për pjesën e dytë të sezonit, ndërsa mbetet nën kontratë me Tiranën. “Sigurisht që do të vë në shërbim të Kastriotit edhe eksperiencën time të fundit në radhët e Tiranës, ku së bashku me skuadrën kemi fituar tri trofe. Tashmë i takon trajnerit se ku do të më caktojë në fushë, por më e natyrshme do të jetë krahu i majtë, qoftë në mbrojtje ose në mesfushë. Duke njohur forcën e Kastriotit, mendoj se në fazën e dytë do të rreshtohemi më lart sesa ndodhemi aktualisht. Uroj që ashtu siç u riktheva unë, të rikthehet edhe trajneri Ndreu në pankinë, pasi një gjë e tillë është më mirë edhe për skuadrën”, – ka përfunduar Kalari.
Murat Aruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"