Ka veshur të dyja fanellat, Demir Imeri: Egnatia fantastike, edhe shkodranët janë për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 23:52

Ka veshur të dyja fanellat, Demir Imeri: Egnatia fantastike, edhe shkodranët janë për titull

Egnatia po përgatitet për transfertën e Shkodrës ku ditën e shtunë do të përballet me Vllazninë. Demir Imeri është mesfushori i cili ka veshur fanellën e të dyja ekipeve dhe tashmë aktivizohet me klubin uzbek Andijon.

DEMIR IMERI

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Imeri analizon këtë përballje, por nuk përjashton edhe një rikthim në Superiore.

Demir, si ndiheni në Uzbekistan me skuadrën e Andijonit?

Kam pak ditë që kam mbërritur tek ekipi i Andijonit pasi deri në janar isha pjesë e klubit të Atyraut në Kazakistan. Po mundohem të përshtatem sa më shpejt të jetë e mundur dhe për këtë po më ndihmojnë edhe shokët e skuadrës.

Ndihem mirë këtu për shkak se ekziston një atmosferë pozitive, e cila më motivon çdo ditë të lidhem me pjesën tjetër të ekipit. Gjatë kësaj periudhe kam punuar edhe individualisht për të fituar ritmin në aspektin fizik. Mezi po pres të luaj dhe të ndihmojë klubin e Andijonit të arrijë objektivat sezonal.

E keni ndjekur kampionatin shqiptar, çfarë ju ka bërë përshtypje?

Natyrisht e kam ndjekur kampionatin shqiptar pasi kam shumë futbollistë me të cilët kam raporte të shkëlqyera atje. Më ka bërë përshtypje ecuria e klubit të Egnatias e cila po tregon progres të jashtëzakonshëm.

Ekipi rrogozhinas jo vetëm po kryeson por në këndvështrimin tim zhvillon futbollin më argëtues momentalisht në Shqipëri. Shikoj emisione sportive dhe në fakt mendoj që formula e aplikuar këtë sezon e dëmton Egnatian pasi me diferencën e pikëve që ka me rivalët çështja e titullit do ishte formalitet për ta.

Këtë javë luhet Vllaznia-Egnatia, dy ish-ekipet tuaja, si e parashikoni këtë sfidë?

Fituesit më të mëdhenj do të jenë spektatorët pasi ky duel do të dhurojë emocione. Në fushë do të zbresin dy ekipe që luajnë me të njëjtin modul loje dhe që më shumë shohin nga sulmi sesa të mbrojnë rezultatin. Do të jetë një 90-minutësh i fortë ku diferencën do e bëjnë episodet e caktuara që do prodhojë loja në tërësi.

Në stadiumin “Loro Boriçi” përballë do të vihen edhe dy ekipet më në formë aktualisht në Superiore, të cilët besoj që do të tentojnë titullin në fund të sezonit. Mesa di skuadrat nuk kanë mungesa të rëndësishme dhe në këtë aspekt do mundohen të bëjnë gjithçka për të arritur maksimumin.

Sipas jush, kush e vendos këtë përballje?

Një pyetje e vështirë në fakt pasi të dy ekipet ka shumë futbollistë me kualitet që kanë bërë mirë në sezonet e fundit. Vllaznia ka një sulm simpatik me Balajn, Grudën, Malën apo Çobën ndërsa Egnatia është një ekip që luan rrjedhshëm ku të gjithë shënojnë. Në këtë këndvështrim i shikoj rrogozhinasit më favorit për të fituar edhe pse shkodranët do të kenë aleatë edhe tifozët në shkallët e stadiumit. Në fund do të fitojnë ata që do të tregohen më të saktë në rastet që do të ofrohen gjatë gjithë ndeshjes.

Egnatia kryeson me 11 pikë diferencë, e prisnit këtë ecuri të rrogozhinasve?

Të jem i sinqertë nuk e kam besuar që Egnatia të kishte këtë ecuri të jashtëzakonshme. Ekipi ka një vazhdimësi për t’u admiruar dhe pavarësisht se ku luan apo kush futbollist zbret në fushën e lojës arrin të aplikojë lojën e saj. Më pëlqen mënyra sesi zbresin në gjysmëfushën e kundërshtarit dhe se me sa lehtësi e gjejnë rrugën e rrjetës. Është e pabesueshme edhe pse me meritë kur shikon një ekip me pak histori të ketë 11 pikë më shumë sesa Partizani apo Vllaznia.

Kush mendoni se fiton titullin këtë sezon?

Formula i jep mundësinë që trofeun ta tentojnë 4 ekipe, pavarësisht diferencës së pikëve që do të kenë pas 36 javësh kampionat. Mendoj që Egnatia është më lart nga rivalët me atë që ka dëshmuar deri tani në fushën e lojës. Megjithatë ekip solid ka Partizani, Vllaznia apo Tirana, skuadra me histori që dinë si fitohet trofeu. Gjykoj që në fund diferencën do ta bëjë pragmatisti, në futboll fiton ai që gabon më pak. E rëndësishme është fakti sesi do të vijnë skuadrat pretendente në fazën e “Final 4”, forma fizike apo dëmtimet.

Do dëshironit të luanit sërish në Shqipëri?

Kam kaluar momente të paharruara në Shqipëri në një periudhë të rëndësishme në karrierën time. Jam i fokusuar tek aventura me Andijonin në futbollin Uzbekistanas dhe natyrisht dua të lë gjurmë për të vijuar sa më gjatë këtu. Gjithsesi, nëse do më vinte mundësia të rikthehem në Shqipëri, nuk do të mendohesha dy herë.

ISA HALILI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"