Ka idhull Dani Alveshin, Rama: Egnatia është e uritur për trofe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2024 | 9:25

Ka idhull Dani Alveshin, Rama: Egnatia është e uritur për trofe

Fitorja me Kukësin në kampionat dhe suksesi me Vllazninë në Kupën ka rikthyer entuziazmin tek Egnatia që do të synojë vazhdimësinë kundër Erzenit në stadiumin “Arena e Demave”, të hënën në orën 18:00. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Rezart Rama, shprehet se bardhëjeshilët do të kërkojnë maksimumin, edhe pse përballë do të kenë një ekip agresiv që luan për mbijetesë.

egnatia

Rama, luani kundër Erzenit në transfertë, çfarë prisni nga ky duel?

Do të luajmë përballë një skuadre që imponon grintë në fushën e lojës. Patjetër që do të jetë e vështirë edhe pse ekipet kanë objektiva të kundër këtë sezon. Ne e kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe prej ditësh po stërvitemi për të qenë gati për këtë transfertë delikate.

I druheni faktit që shijakasit janë të uritur për pikë?

Në këtë moment çdo skuadër ka objektivat e veta ku në lojë janë edhe 21 pikë. Ne nuk i druhemi aspak Erzenit edhe pse ata rrezikojnë qëndrimin në Superiore. Të uritur për pikë jemi edhe ne pasi duam të ruajmë deri në fund vendin e parë. Mendoj që do të jetë një 90-minutësh i dyluftuar siç ndodh shpesh në futbollin shqiptar. Egnatia do të mundohet të bëjë lojën e saj për të dalë me kokën lart nga kjo ndeshje që është një nga 7 finalet që kanë mbetur nga ky sezon.

Ndieni lodhje, pasi në mesjavë luajtët me Vllazninë në Kupë?

Lodhja në këtë fazë të kampionatit është diçka normale pasi jemi në fundin e sezonit përtej duelit në mesjavë me Vllazninë. Mendoj që kemi kohën e mjaftueshme për të rifituar energjitë me objektivin për ta përballuar me sukses sfidën me Erzenin. Skuadra ka një grup lojtarësh profesionist që dinë të përshtaten në këto situata kur luajmë 3 ndeshje brenda 8 ditëve. Në çdo seancë stërvitore trajneri na jep ngarkesën e duhur fizike për të qenë të freskët në aspektin fizik.

Çfarë ju tundoi për të firmosur me Egnatian?

Kisha dëgjuar fjalë të mira për klubin e Egnatias. Fola me drejtuesit dhe më joshi projekti i skuadrës. Unë jam rritur duke luajtur me ekipe që kanë patur gjithmonë objektiva madhorë. Titulli dhe Kupa janë prioriteti ynë këtë sezon prandaj vendosa të firmosja për Egnatian. Jem i lumtur që ndodhem këtu dhe dëshiroj të ndihmoj pafund klubin të konkretizojë objektivat që ka në plan afatgjatë.

Si ka shkuar procesi i përshtatjes te bardhëjeshilët?

Përshtatja ka ecur mjaft mirë pasi u gjenda në një ambient të ngrohtë që në çastet e para që mbërrita këtu. Shokët e skuadrës, stafi por edhe drejtuesit më kanë ndihmuar shumë që të inkuadrohem me këtë realitet të ri për mua. Çdo ditë përpiqem të mësoj diçka të re që do më ndihmojë të jap më të mirën time. Këtu kërkohet maksimumi dhe ky fakt më pëlqen pasi edhe konkurrenca është e fortë brenda skuadrës.

Kush është idhulli që ju ka frymëzuar për të luajtur futboll?

Lojtari që më ka pëlqyer gjithmonë ka qenë Dani Alvesh. Braziliani edhe pse ka qenë mbrojtësi i djathtë parapëlqente të dilte përpara me inkursionet e tij, sidomos te Barcelona. Alvesh rezultonte mendimtar në ndeshjet e mëdha dhe kjo e bënte të veçantë. Për mua është një nga mbrojtësit më të mirë në historinë e futbollit botëror.

ISA HALILI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"