Juventus-Torino, derbi i rekordeve dhe tabuve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2014 | 12:12

Juventus-Torino, derbi i rekordeve dhe tabuve

Giovinco-scores-Juventus-v-Torino-300x200Torino sivjet është rikthyer në kryeqytetin e futbollit italian, me të dyja ekipet që mposhtin milanezët (Milan e Inter), romanët (Roma e Lacio), xhenovezët (Xhenoa e Sampdoria), si dhe veronezët (Hellas Verona e Kievo). Ndërsa bardhezinjtë kryesojnë bindshëm kampionatin me 63 pikë nga 72 të mundshmet, “granatat” luftojnë për një vend në zonën e Ligës së Europës, pozicion i gjashtë në tabelë që aktualisht e ndajnë së bashku me Parmën, në kuotën e 36 pikëve. Duke parë rezultatet e fundit që kanë afruar këtë sfidë të zjarrtë, Torino ecën thuajse me të njëjtin hap të Juventusit, duke qenë se në pesë ndeshjet e fundit ka grumbulluar 10 pikë (3 fitore, 1 barazim dhe një humbje), ndërsa kampionët 11 (3 fitore, dy barazime). Falë kësaj forme të shkëlqyer dhe dyshes sulmuese Çerçi- Imobile, që ecën, ofron edhe më shumë garanci e rrezikshmëri në zonën e rreptësisë sesa rivalët Tevez-Jorente (24 gola për “granatat” dhe 23 për juventinët), derbi i sotëm në “Juventus Stadium” nuk pritet të jetë një shëtitje për skuadrën e Kontes, por një sfidë elektrizuese që mund të ofrojë jo pak surpriza.
Rekordet në shënjestër Nëse e nisim me Juventusin pritës, bardhezinjtë duken bindshëm favoritë për të fituar këtë duel të 138-të në kampionat. Skuadra e Antonio Kontes sivjet ka qenë perfekte në shtëpi, duke i fituar të 12 takimet e luajtura në “Juventus Stadium”. Por ndërkohë, ata ndjekin 14 fitoret radhazi në shtëpi, një rekord historik italian që mbahet pikërisht nga Torino, në sezonin e titullit të fundit të “granatave”, 1975-1976. Derbi i sotëm mbart në vetvete gjithashtu një tjetër rekord që Antonio Konte mund ta shënojë në “CV”-në e tij. Asnjë mes Juventusit dhe Torinos nuk ka mundur të fitojë 6 derbi radhazi në një shekull rivaliteti sportiv. Për momentin, djemtë e Kontes numërojnë 5 fitore radhazi, një seri fitoresh radhazi kjo e njëjtë me Juventusin e Karkanos në vitet ‘30, i cili nuk mundi të bënte më shumë sesa kaq. Prandaj, fakti i këtij rekordi mund ta ekzaltojë edhe më shumë Konten dhe lojtarët e tij.
Tabu për t’u thyer Ndërsa kampionët në fuqi të Italisë duan të thellojnë shifrat e tyre në Serinë A dhe në historinë e derbit, Torino luan për të thyer tabutë që e përndjekin prej shumë vitesh. Në rast se e nisim me faktin e fitoreve, ajo mungon prej afro 19 vitesh. Hera e fundit, që “demat” arrinin të trembnin “zebrën”, daton më 9 prill 1995. Dopieta e Ricitelit gjunjëzonte Juventusin, pjesë e së cilës ishte edhe trajneri aktual, Antonio Konte. Por, ndërsa fitorja është diçka për të cilën Torino duhet të luajë ndeshjen perfekte që t’ia arrijë, skuadra e Venturës ka një tjetër mallkim për të thyer, atë të shënimit të një goli ndaj Juventusit, diçka që mungon prej 12 vitesh, konkretisht që në ndeshjen e shkurtit të vitit 2002, kur Benua Koe barazonte shifrat në 2-2, në minutën e 80-të. Ndërsa ndeshja e fundit, kur Torino ka mundur të dalë me pikë ndaj “Zonjës së Vjetër”, ka qenë më 26 shkurt 2008, kur derbi i qytetit verior përfundonte 0-0. Nga kjo periudhë kanë kaluar plot 6 vite, ndaj sot më shumë se kurrë, Torino ka rastin që të thyejë një seri rezultatesh dhe shifrash negative ndaj Juves.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"