Josa përcakton formacionin e derbit, Merveil ul në stol Moisenë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 28, 2017 | 10:26

Josa përcakton formacionin e derbit, Merveil ul në stol Moisenë

Te Tirana duan ta trajtojnë si një ndeshje normale, por dashur pa dashur mobilizimi para derbit i ka kaluar limitet. Bardheblutë erdhën në “Selman Stërmasi” në orën 16:30 dhe pas 30 minutash zbritën në fushë për të kryer seancën e fundit. Mirel Josa nuk i evitoi as dje kritikat, madje në disa momente u shfaq edhe nevrik, saqë vetëm cigarja mund ta qetësonte.

josa

Ngritje tonesh për të gjithë, duke filluar nga mbrojtja e për të kaluar te sulmi. Trajneri ndërpreu disa herë stërvitjen, duke korrigjuar gabimet që shihte, si në rreshtim në goditjet standarde dhe lëvizjet në fushën e lojës. Do perfeksion në goditjet e këndit, pasi pret që diferenca të vijë pikërisht prej tyre.

U vulos edhe 11-shja, ndërsa porta i mbetet Likës dhe mbrojtja nuk ndryshon. Në qendër është dyshja Teqja-Turtulli, ndërsa në krahë Doka me Hoxhallarin. Para defensivës zgjodhi Akuan, ndërsa në mesfushë rreshtoi katërshen Taku-Daja-Karabeci-Merveil. Ky është ndryshimi, kurse kongolezi ul në stol patriotin e tij, Moisen. Në sulm do të jetë Edeh, me shpresën që këtë herë të “godasë” në shenjë dhe në stërvitje ishte efikas.

formacioni tirana

Pati induksione edhe për goditjet në portë, ndërsa në finish “tentuan” këmbën për 10 minuta Hoxhallari, Taku, Merveil dhe Karabeci, e megjithatë pritshmëritë janë më shumë te dy të fundit…

Me punë intensive, nuk mund të mungonin as batutat. I zakonshmi Edvan Bakaj nuk “kurseu” askënd, madje as vetë Mirel Josën. Sapo ky i fundit mbaroi konferencën për mediat i tha: “Hë mo presor, të provokuan ndonjë çik?”. Pasi stërvitja kishte nisur, ish-sulmuesi Ergys Sorra vizitoi ekipin dhe në atë çast portieri ia priti: “Sorre do vija të të takoja, por s’më lënë arbitrat të dal nga fusha”, duke quajtur “gjyqtar” mjekët në këtë rast.

Bakaj edhe dje bëri vetëm vrap, pasi ka kontaktim muskulor, megjithatë gjasat janë që të jetë gati. Në fund nuk kishte si të mos vinte Gentjan Muça, edhe pse është mungesa e madhe e këtij derbi, zv.kapiteni ishte aty për të karikuar shokët e ekipit. Pas 60 minutash stërvitjeje, trajneri u kërkon që të bëjnë dush shpejt, pasi duhet t’i ktheheshin grumbullimit në Linzë: “Shpejt çuna, se kemi rrugë për të bërë”.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"