“Jetoj një ëndërr, s’ka vend për presion”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2014 | 19:55

“Jetoj një ëndërr, s’ka vend për presion”

NejmarËshtë vetëm 22 vjeç, ka bërë po aq mirë sa “Mbreti”, por nuk ndien presionin, sepse tregon se në një ëndërr nuk ka vend për të tilla emocione negative. Nejmar, që në portugalisht do të thotë “njeriu që vjen nga deti”, tani është gati të kalojë majën më të lartë: të rrëmbejë fronin e Pelesë.
Si “O Rey” – Në ndeshjen përballë Kamerunit, Nejmar ndoshta nuk e dinte se po shkruante historinë. Me dy golat e realizuar ai ka treguar se është gati të ecë në gjurmët e “Mbretit” Pele. Një start të tillë ëndrrash Pele e bëri në Botërorin e 1958-ës, kur shënoi 4 gola në tri takimet e para.
Sekreti – Pas një lojtari të tillë që, edhe pse në moshë të re është gati të ngarkojë mbi supe një komb të tërë, qëndron besimi që ka në forcat e veta. Gjatë një prononcimi për mediet amerikane 22-vjeçari shpjegon përse golat dhe “magjitë” i dalin vetvetiu. “Nuk mund të ndiesh presion kur po jeton një ëndërr. Unë tani po bëj atë çfarë kam ëndërruar gjithmonë. Po kthej në realitet atë që kam ëndërruar kur kam qenë i vogël. Sot ëndrra ime po bëhet realitet. Unë po luaj ndeshjet që gjithmonë kam ëndërruar t’i jetoj si protagonist”.
Modest – Edhe pse me sjelljen që ka në fushë apo me modelet e flokëve që i ndryshon shpesh, mund të “prezantohet” në mënyrë të keqe, Nejmar “korrigjon” gjithçka para gazetarëve. “Unë nuk dua që të jem lojtari më i mirë. Nuk dua që të jem as golashënuesi më i mirë i këtij turne. Dëshiroj vetëm që kjo skuadër në fund të edicionit të marrë kupën. Ky është objektivi im primar. S’dua të mendoj se si mund t’ia dalim, por thjesht e dua këtë trofe”, vazhdoi Nejmar.
I rëndësishëm – Gjatë karrierës së tij 22-vjeçari ka pasur shumë trajnerë, por askush nuk i ka bërë përshtypje sa “Felipao” Skolari. “Më ka bërë përshtypje që në prezantimin e parë. Me fjalët që tha na e bëri të qartë të gjithëve se nuk ishim rreth tij pa shkak. Me atë fjalim na bëri që të ndiheshim mirë. Kuptuam se ishim të rëndësishëm për të ashtu siç është edhe ai për ne”, tha mes të tjerash ylli brazilian.
Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"