“Jemi rritur në cilësi”, Cungu: Ftoj specialistët të marrin laps e letër për Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 26, 2020 | 15:35

“Jemi rritur në cilësi”, Cungu: Ftoj specialistët të marrin laps e letër për Laçin

Armando Cungu kërkon që t’i shpëtojë fryrjes në letër. Edhe pse Laçi i tij fitoi me Tiranën, shkodrani i fshihet euforisë. Pas ndeshjes me bardheblutë ai jep mendimin e tij për sfidën miqësore.

armando cungu

“Pas shumë miqësoreve jobindëse, vjen kjo me Tiranën. Realisht në pjesën më të madhe jam i kënaqur për sa i përket lojës. Kërkuam edhe rezultat, pasi kampionati mendoj se është në prag dhe duhet. Për këtë arsye duhet ta kërkonim rezultatin, të kishim atë shpirtin dhe karakterin e garës.

Besoj se nuk mund të ketë garë pa rezultat. Në përgjithësi jam i kënaqur me atë që dhanë djemtë, edhe pse mbetem i mendimit se kemi shumë për të përmirësuar”, tha në fillim ai. Ajo që ngroh më shumë te Laçi është fakti që dje fitoi ekipi i dytë dhe në fushë do të jetë një skuadër tjetër, që në letër është më e fortë. Për këtë Cungu e ka një përgjigje, ndonëse nuk ngurron të sqarojë se gjithçka është relative.

“Relativisht duhet të jetë më e fortë skuadra me lojtarët që mungonin në fushë. Na mungonin shumë titullarë dhe janë nga ata që kanë bërë një sezon shumë të mirë vjet, kështu që janë bërthama e ekipit dhe do të jenë të tillë. Megjithatë, ekipi është përforcuar me ardhjen e lojtarëve të tjerë, alternativat janë më të mëdha se sezonin e kaluar. Kjo bën që edhe mua si trajner dhe drejtuesve të klubit të na lindë e drejta për të kërkuar diçka më tepër nga ky Laç, pra një marsh tjetër”, vazhdoi shkodrani.

E mban mbi shpinë etiketën pretendent për titull ekipi i Laçit? Kjo është për t’u zbuluar, ndërsa vetë trajneri i dredhon në njëfarë mënyre këtij guri mbi shpinë, por letrat i ka të hapura dhe fton të gjithë t’i bëjnë llogaritë me letër e laps. “A është Laçi skuadra për t’u mundur? E thashë që do të kërkojmë marsh tjetër, kampionat tjetër. Jemi më të rritur si ekip, jo në moshë, jemi më të rritur në aspektin e mënyrës së lojës.

Tani kemi një personalitet tjetër dhe natyrshëm që kërkojmë diçka më tepër se sezoni i kaluar. Në letër gjërat mund t’i shohin specialistët, mund të marrin lapsin e të shohin Laçin e vjetshëm dhe të sivjetshëm, ku është forcuar e të tjera gjëra. Besoj se kështu bëhen llogaritë, si për Laçin ashtu edhe për çdo ekip tjetër të Superiores. Pastaj shihet kush është favorit. Mendoj se janë trekatër ekip në valle, mes tyre edhe ne. Kjo është ajo që mund të them për momentin”, mbylli Armando Cungu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"